Laura Pausini do të jetë bashkëprezantuese në Festivalin e Sanremos 2026. Këngëtarja do të shoqërojë Carlo Conti në pesë netë prezantim, nga data 24 deri më 28 shkurt.

Ajo ka ndarë një postim në rrjetet sociale ku jep lajmin e gëzuar, me fjalët më të ndjera për festivalin që shënoi lindjen e saj artistike. Pausini rikthehet në festival në “petkun më prestigjioz” pas pjesëmarrjeve si konkurrente apo si e ftuar.

“Sanremo është fati im. Buzëqeshja ime. Tundimi im. Frika ime.

Linda artistikisht në Sanremo në vitin 1993 dhe këtë vit rikthehem krenare dhe e prekur sepse do ta prezantoj! Herët e para nuk harrohen kurrë dhe ashtu si kur jep puthjen tënde të parë, ndihem e emocionuar.

Me gjithë nderin dhe lumturinë e botës, nga 24 deri më 28 shkurt, do të jem krah Carlo Conti për edicionin e 76-të të Sanremo Festival në Rai 1.

Laura e 1993 që këndoi për herë të parë në Teatrin Ariston, nuk do ta kishte përfytyruar kurrë se në 2026 do të ishte duke shkruar këto fjalë dhe as duke bërë këtë njoftim. Kam kaluar çdo vit të jetës sime duke e parë festivalin dhe nuk do ta kisha menduar kurrë se tani do ta gjeja veten me këtë rol.

Faleminderit Sanremo dhe mbi të gjitha, faleminderit ty, Carlo! Respekti që kam ndier gjithnjë për ty është kthyer gjithashtu në besim dhe ti ia dole të zbërtheje frikën time që ta mendoja veten si prezantuese. Mezi pres të kënaqem dhe të emocionohem me ty përkrah.

E kam përgatitur shumë veten për shkurtin e ardhshëm sepse e di rëndësinë dhe prestigjin e asaj që do të përjetoj bashkë me të gjithë italianët. Do të bëj gjithçka mundem për të qenë në lartësinë e kësaj skene që mbetet më e rëndësishmja për mua. Sot sytë e mi janë ata të një vajze të vogël në trupin e rritur të një gruaje të vetëdijshme. Ata që më njohin mirë e dinë se unë ëndërroj më shumë sesa fle. Të ëndërruarit më ka sjellë sot këtu… Nuk ishte e lehtë të heshtja deri më tani. Tani që e di edhe familja ime, nis vërtet!”

Carlo Conti shprehu falënderimin ndaj saj dhe shtoi: “Është nder dhe gëzim i madh që ta ndaj prezantimin e festivalit me një artiste dhe një grua të fortë, karizmatike dhe argëtuese si Laura. Më pas me ne do të bashkohen edhe bashkëprezantues të ndryshëm në çdo mbrëmje”, tha ai duke zbuluar kështu pak nga surprizat e festivalit.

/tvklan.al