Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se çdo përpjekje për të zgjidhur çështjet e sigurisë që lidhen me Ukrainën pa përfshirjen e Moskës është një rrugë pa krye.
Lavrov i bëri komentet gjatë një konference për shtyp, pak ditë pas takimit në Uashington, ku presidenti amerikan Donald Trump priti homologun ukrainas dhe liderët evropianë për të diskutuar mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Ne nuk mund të pajtohemi me faktin që tani propozohet të zgjidhen çështjet e sigurisë kolektive pa Federatën Ruse. Kjo nuk do të funksionojë. Jam i sigurt se në Perëndim, dhe mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara, e kuptojnë shumë mirë se të diskutosh seriozisht për çështje sigurie pa Federatën Ruse është një utopi, një rrugë pa krye.”
Lavrov komentoi gjithashtu se Britania, Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë mundësinë e garancive të përbashkëta të sigurisë për Ukrainën.
“Ne jemi për garanci sigurie që të jenë realisht të besueshme. Kemi një shembull shumë të mirë, që lidhet me iniciativën e vetë palës ukrainase, siç ndodhi në Stamboll në prill 2022, kur ekipi negociator ukrainas propozoi parimet bazë të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme.”
Kreu i diplomacisë ruse kritikoi ashpër edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke thënë se Brukseli e ka reduktuar diplomacinë vetëm në vendosje sanksionesh kundër Rusisë.
“Kaja Kallas, që konsiderohet kryediplomatja e Bashkimit Evropian, tha pas takimit në Uashington se BE-ja nuk do t’i besojë asnjë marrëveshjeje me Federatën Ruse. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë forcat e armatosura të Ukrainës dhe do të shtyjë për sanksione të reja kundër Rusisë, pavarësisht çdo marrëveshjeje. Kjo nuk është diplomaci, kjo është degradim i metodave të politikës së jashtme.”
Lavrov tha gjithashtu se Moska është e gatshme të diskutojë aspektet politike të një zgjidhjeje dhe të rrisë nivelin e delegacioneve në negociata. Megjithatë, ai theksoi se çdo takim midis liderëve të Rusisë dhe Ukrainës duhet të jetë rezultat i negociatave të mirëpërgatitura.
Ndërkohë që bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje vijojnë, Rusia nuk ka bërë hapa pas për të ndalur sulmet ndaj Ukrainës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 