Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, u shpreh se “ofrimi i garancive të sigurisë për Ukrainën përmes një ‘ndërhyrjeje ushtarake të huaj’ është absolutisht i papranueshëm”.
Ai u shpreh për mediat se veprimet e Europës dhe “regjimit në Kiev” po minojnë përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.
Shefi i diplomacisë ruse tha se Moska mbështet opsionin për garancitë e sigurisë për Ukrainën të diskutuara gjatë negociatave të Stambollit në vitin 2022, kur u propozua përfshirja e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe Rusinë.
Lavrov u shpreh se Moska do të refuzojë çdo garanci sigurie që është bazuar mbi logjikën e përplasjes me Rusinë.
“Parimi i ofrimit kolektiv të garancive të sigurisë, i parashikuar në propozimet e Ukrainës në Stamboll në vitin 2022, mbetet i natyrshëm dhe i vlefshëm edhe sot”, tha ai.
Ai hodhi akuza ndaj Ukrainës se nuk është e interesuar për paqe afatgjatë.
“Regjimi ukrainas dhe përfaqësuesit e tij po tregojnë hapur se nuk e duan një zgjidhje të qëndrueshme”, tha ai pas takimit me ministrin e Jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar.
Ndër të tjera ai vë në diskutim edhe legjitimitetin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Në rast se, dhe kur, të nënshkruhet një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duhet të zgjidhet çështja e legjitimitetit të personit që do ta nënshkruajë atë nga ana e Kievit”, tha Lavrov, duke iu referuar presidentit Zelensky, mandati i të cilit ka përfunduar në maj 2024 pa zgjedhje të reja për shkak të ligjit të luftës në fuqi.
Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se një takim me Vladimir Putin mund të ndodhë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Sipas tij, “ende nuk ka asnjë sinjal nga Moska që tregon një vullnet real për të nisur negociata thelbësore”. Ai po ashtu u shpreh kundër një roli të mundshëm të Kinës në çështjet e sigurisë së Ukrainës. “Nuk na ka ndihmuar, përkundrazi ka ndihmuar Rusinë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas njoftoi gjithashtu se vendi ka testuar me sukses një raketë të re me rreze veprimi prej 3 mijë kilometrash./tvklan.al












Botërori 2026 
