Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, në një konferencë për mediat, deklaroi se presidenti Putin është i gatshëm që të takohet me Zelensky-n për çështjen e dhënies fund të luftës, por sipas tij, fillimisht duhet të zgjidhen të gjitha çështjet e mbetura pezull. Dhe një ndër to është edhe dyshimi mbi legjitimitetin e presidentit ukrainas për të firmosur marrëveshjet.
“Kur dhe nëse kur – të vijë momenti për nënshkrimin e marrëveshjeve të ardhshme, shpresojmë që çështja e legjitimitetit të personit që nënshkruan këto marrëveshje nga pala ukrainase të zgjidhet.”
Siç dihet, Zelensky-t i ka mbaruar mandati si president, por për shkak të luftës nuk janë mbajtur zgjedhjet. Sakaq, kryediplomati rus akuzoi palën ukrainase se nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës në mënyrë afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters ka zbuluar kushtet e Putinit për arritjen e paqes, duke i kërkuar Ukrainës që të heqë dorë nga i gjithë rajoni lindor i Donbasit, të braktisë ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n, të mbetet neutrale dhe të mbajë ushtarët perëndimorë jashtë vendit.
Në thelb, sipas burimeve ruse, Putin bëri lëshime për kërkesat territoriale të bëra në qershor 2024, të cilat përfshinin heqjen dorë nga Kievi nga katër provincat që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë: Donetsku dhe Luhansku në Ukrainën lindore, të cilat përbëjnë Donbasin, plus Kherson dhe Zaporizhia në jug.
Kievi i ka hedhur poshtë këto kushte, duke i konsideruar ato të barasvlershme me dorëzimin. Në propozimin e tij të ri, presidenti rus mbajti kërkesën e tij që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon. Në këmbim, megjithatë, Moska do të ndalonte vijat aktuale të frontit në Zaporizhia dhe Herson, shtuan burimet.
Sipas vlerësimeve të SHBA-ve dhe të dhënave në dispozicion, Rusia kontrollon afërsisht 88% të Donbasit dhe 73% të Zaporizhias dhe Hersonit. Moska është gjithashtu e gatshme të lëshojë pjesë të vogla të rajoneve ukrainase të Harkivit, Sumi-t dhe Dnipropetrovskit që kontrollon, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme, thanë burimet.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
