Rey Manaj është një nga lojtarët më të kërkuar kuqezi në këtë merkato vere. Futbollisti shqiptar zhvilloi një sezon mjaft të mirë te Sivaspori, ku realizoi 22 gola, 18 prej tyre në Superligë, në 36 përballje të luajtura.

Paraqitja e 27-vjeçarit bindi edhe trajnerin Sylvinho që ta thërriste në kombëtare për europianin “Gjermani 2024”.

Në adresë të Manajt kanë ardhur disa oferta. Interesim ka nga dy klube nga Stambolli, nga Arabia Saudite, e tani në lojë është future edhe Lazio, raporton “Milet”.

Por drejtuesit e Sivasporit e kanë bërë të qartë se ata e lënë të lirë lojtarin vetëm nëse për kartonin e tij paguhen 15 milionë euro.

Një transferim i mundshëm mund të ndodhë vetëm në përfundim të kampionatit europian, pasi palët e përfshira duan të marrin kohën e tyre për diskutimet finale.

Klan News