Pas tetë muajsh e gjysmë protestash, ultrasit Lazios kanë vendosur të rikthehen në shkallët e stadiumit “Olimpico” për një periudhë njëmujore, duke nisur nga data 6 dhjetor.

Përmes një komunikate zyrtare, grupet e organizuara bënë të ditur se kontestimet ndaj presidentit Lotito do të lihen mënjanë për të mbështetur skuadrën e drejtuar nga Rino Gattuso, e cila aktualisht kryeson renditjen.

Hera e fundit që tifozeria bardhekaltër kishte mbushur rregullisht stadiumin daton më 15 mars, në ndeshjen Lazio-Milan të fituar 1-0 me golin e Isaksen. Rikthimi në “Olimpico” përkon me përballjen e 6 dhjetorit kundër Atalantës së ish-trajnerit Maurizio Sarri, e cila vjen pas barazimit 4-4 ndaj Interit, rezultat që ndihmoi Lazion të ruajë distancën nga rivali kryesor në garën për titullin kampion.

Ky armëpushim i përkohshëm mes tifozërisë dhe klubit synon t’i japë mbështetje ekipit në garën për kampionatin, një objektiv që nuk parashikohej në fillim të sezonit.

Kalendari i këtij muaji vijon më 13 dhjetor me derbin e kryeqytetit, i konsideruar me peshë të veçantë në renditjen e viteve të fundit, si dhe me praninë e zakonshme të tifozëve në transfertat e Torinos dhe Frosinones.

Kjo periudhë njëmujore e mbështetjes mbyllet më 22 dhjetor me përballjen e Superkupës kundër Interit, që do të zhvillohet në stadiumin “San Siro”.

Pas përfundimit të vitit kalendarik do të vlerësohet qëndrimi i mëtejshëm i tifozëve, teksa do të bëhen edhe bilancet e para mbi objektivat realë të skuadrës në këtë sezon.

/tvklan.al