Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se LDK-ja e ka mbështetur propozimin e tij që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.
Abdixhiku tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani. Në ditët e fundit, Osmani ka konfirmuar se pjesë e rrugëtimit të saj politik do të jenë figura si: Fahrie Hoti, aktiviste e njohur kryesisht për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës; Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit; si dhe Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-deputete e AAK-së.
Para largimit nga LDK-ja, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të partisë dhe, gjatë karrierës së saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë ato të presidentes dhe deputetes. Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të qeverisë Kurti.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.
Pas fitores në zgjedhje, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mungesa e mbështetjes për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.
Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti Musine Kokalari e ka cilësuar afrimin Osmani–LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.
Tri ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar negociatat dhe finalizimin e ofertave zgjedhore. Kështu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të mbajtur po ashtu të shtunën, partia në pushtet e zyrtarizoi edhe një herë unanimisht Albin Kurti si kandidat për kryeministër.
Kryeministri në detyrë, Kurti, synon një mandat të ri pas fitoreve të LVV-së në dy palë zgjedhje gjatë vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit. Në këto të fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish kandidati më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, ai tha se në zgjedhjet e 7 qershorit synon të fitojë 60% të votave.
LVV-ja tashmë ka konfirmuar edhe vazhdimin e koalicionit me Guxo, Alternativën dhe Partia Shqiptare Demokristiane. Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë oferta për zgjerimin e listës së saj zgjedhore me parti të tjera që kanë vendosur të mos garojnë të vetme.
Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e PDK-së. Në një letër drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Limaj ka shprehur gatishmërinë për “bashkëpunim dhe bashkim politik” në funksion të krijimit të një alternative të përbashkët opozitare. PDK-ja deri më tash nuk ka dalë me një qëndrim publik për ofertën e Nismës.
Limaj kishte qenë gjithashtu ndër figurat më të votuara të PDK-së në të kaluarën, para ndarjes së tij nga kjo parti dhe krijimit të NISMA-s.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi si të vetme ose në koalicion.
/tvklan.al












Botërori 2026 
