Prestigjozja franceze “Le Figaro” i sugjeron lexueseve të saj të vizitojnë Shqipërinë si një nga 5 destinacionet më të mira kulturore për udhëtime në botë.

Duke e konsideruar një perlë të vërtetë të fshehur të Ballkanit, Shqipëria renditet në të njëjtën listë me Merilendin dhe Virxhinian që ndodhen në zemër të Uashington DC, Salzburgun e Mozartit dhe shkëlqimin e Salzkammergut në Austri, bukuritë e Saksonisë në qytetet gjermane të Dresden dhe Leipzig (Lajpcig), si dhe Firencen që është toka e mjeshtërave dhe thesarëve të Rilindjes.

Shqipëria, shkruan Le Figaro, është një nga destinacionet më premtuese në turizmin ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen për autenticitetin kulturor, natyrën e paprekur dhe përvojat që tejkalojnë pritshmëritë e vizitorëve.

E përditshmja franceze e konsideron vizitën në Shqipëri një udhëtim nëpër kohë, ku qytetërimet e lashta ilire, greke dhe osmane kanë lënë gjurmët e tyre në çdo cep të vendit.

Qytetet që rekomandohen për t’u vizituar janë Tirana, Gjirokastra, Berati dhe Butrinti, “ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”.

Ajo që e bën vërtet të veçantë Shqipërinë sipas “Le Figaro” nuk janë vetëm monumentet dhe sitet arkeologjike, por mikpritja e popullit, pasuria e traditave dhe gjithashtu kuzhina plot shije.

Gazeta iu sugjeron turistëve që të shijojnë një byrek krokant, të dëgjojnë polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe të eksplorojnë tregjet e gjalla, ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Tv Klan

/tvklan.al