Pas rezultateve jo të mira të partisë Bashkimi Kombëtar në zgjedhjet parlamentare në Francë, Marine Le Pen po përballet me një sfidë këtë herë ligjore.

Fushata zgjedhore e Marine Le Pen gjatë vitit 2022 është nën hetim për financim të paligjshëm.

Autoritet do të shqyrtojnë akuzat për përvetësim, falsifikim, mashtrim. Hetimi u hap një javë më parë pas një raporti të vitit 2023 nga Komisioni Kombëtar për Llogaritë e Fushatës dhe Financimin Politik.

Roli i komisionit është të shqyrtojë shpenzimet zgjedhore dhe financimin e kandidatëve dhe të evidentojë çdo parregullsi siç janë rastet kur vihen re shpenzime të dyshimta. Sipas ligjit francez, kandidatëve u ndalohet të tejkalojnë një sasi të caktuar shpenzimesh.

Mediat e huaja nuk kanë sqaruar më shumë lidhur me hetimet ndërsa vetë ekipi i Le Pen nuk ka komentuar mbi këto zhvillime.

Ndërkohë, një gjykatë do të gjykojë zonjën Le Pen dhe 24 anëtarë të tjerë të partisë së saj mbi keqpërdorimin e fondeve të BE-së në shtator. Le Pen kandidoi për presidente në 2012, 2017 dhe 2022. Ajo u rizgjodh në parlament gjatë raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Francës muajin e kaluar.

Klan News