Milani është gati të përqafojë sërish Rafa Leao dhe Christian Pulisic. Pas gati 100 ditësh nga hera e fundit, dy sulmuesit do të rikthehen të luajnë bashkë në repartin ofensiv, gjë që nuk ndodhte që nga gushti, në ndeshjen e debutimit në Kupën e Italisë kundër Barit.
Bashkëjetesa e tyre në fushë, megjithatë, zgjati vetëm pak më shumë se një çerek ore, për shkak të dëmtimit në pulpë të Leaos, i cili u detyrua të humbiste javët e para të kampionatit. Pas rikthimit të Pulisic nga dëmtimi, Max Allegri është gati t’i hedhë sërish të dy nga minuta e parë në fushë me rastin e derbit të programuar për të dielën në mbrëmje.
Pas viteve të kaluara “larg”, duke mbuluar krahët e jashtëm të fushës, Leao dhe Pulisic, për herë të parë këtë sezon, do të gjenden krah për krah në skemën 3-5-2 të vizatuar nga Massimiliano Allegri. Një lajm i rëndësishëm për shtëpinë kuqezi, duke parë paraqitjet e dobëta të sulmuesve të tjerë në skuadër. Si Gimenez, ashtu edhe Nkunku nuk kanë bindur kur janë hedhur në fushë, arsye për të cilën rikthimi në formë i dyshes shihet si një lajm shumë i madh.
Në këtë fillim sezoni, Leao ka shënuar tashmë 5 gola, ndërsa Pulisic 6. Një total prej 11 golash nga 22 të shënuar nga Milani: fiks 50%. Shifrat tregojnë, nëse kishte ende nevojë, rëndësinë qendrore të të dyve në projektin kuqezi.
Për të dy do të jetë gjithashtu një mundësi për të përmirësuar statistikat e tyre në derbi. Leao, në fakt, është ndalur në kuotën 3 gola në 20 ndeshje, ndërsa Pulisic ka shënuar vetëm 2 në 7, por të dy kanë qenë vendimtarë. Sezonin e kaluar, amerikani hapi rezultatin në derbin e fazës së parë të kampionatit (i fituar 2-1 nga Milani) dhe gjeti golin e barazimit në finalen e Superkupës së Italisë, të fituar më pas 3-2 pikërisht nga Milani. Shifrat që e bëjnë Allegrin të buzëqeshë dhe tifozët kuqezinj të ëndërrojnë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
