Kush nuk po mendon për pushimet verore ? Me siguri të gjithë, por të shumtë janë ata që ende nuk e kanë zgjedhur destinacionin për t’u larguar për disa ditë për t’u shkëputur dhe relaksuar . 

E përditshmja spanjolle “Lecturas”, sugjeron Shqipërinë mes një numri të madh destinacionesh për këtë verë tepër të nxehtë. Ndryshe nga vendet e tjera kjo media shkruan se udhëtimi drejt vendit të shqiponjave nuk është i kushtueshëm, aty ofrohen të gjitha.

Shqipëria është kthyer sipas “Lecturas” në destinacionin që duhet eksploruar me patjetër nga turistët, një perlë e fshehur që ofron kontraste, natyrë dhe një histori magjepsëse.

Ky udhëtim fillon në Tiranë, e cila është shtëpia e një të shkuare ilire dhe mesjetare. Media spanjolle ofron të vizitohet Kruja, shtëpitë osmane të Beratit, Apolonisë, Vlora dhe Saranda, ku mund të shijoni plazhet më të mira të Jonit.

Ai përfshin gjithashtu një vizitë në rrënojat e Butrintit, shtëpitë e kalasë së Gjirokastrës dhe, së fundi, në Korçë dhe Elbasan. Një udhëtim që do t’ju lërë të mahnitur.

Klima e ngrohtë, çmimet e ulëta, natyra dhe historia magjepsëse janë atraksionet kryesore të vendit ballkanik. Një vend që ka fituar një rritje të popullaritetit, por ende nuk është prekur nga turizmi masiv.

Eksploroni Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, duke vazhduar drejt Lezhës – për të vizituar më tej Memorialin e Skënderbeut. Sipas “Lecturas”, udhëtimi mund të përfundojë në qytetin e bukur mesjetar shqiptar të Shkodrës. 

Klan News