Kristian Asllani pritet të rikthehet tek Interi në fundin e sezonit. Lajmin e bën të ditur “Gazzetta Dello Sport” që raporton se kartoni i mesfushorit të Kombëtares shqiptare nuk do të blihet nga Beshiktashi.

Në Turqi e konsiderojnë shifër të lartë, 13 milionë eurot që Interi kërkon për Asllanin. 24-vjeçari është shndërruar në një titullar fiks në ndeshjet e fundit, pas një nisjeje për t’u harruar ku u ndëshkua me karton të kuq në debutim.

Asllani ka dhënë edhe 1 asist në 8 ndeshje, por që konsiderohet shumë pak për t’u konfirmuar në Turqi. Interi zotëron kartonin e tij dhe do të vendosë në verë fatet e mesfushorit kuqezi. E paqartë është edhe e ardhmja e Mario Mitajt, i cili ka humbur vendin e titullarit në skuadrën e Al Itihadit dhe trajneri Konseisao sërish e ka lënë jashtë liste.

Në fundin e sezonit ai do të kërkojë garanci për të luajtur, ose në të kundërt do të largohet. Në qendër të merkatos është edhe sulmuesi Kristian Shpendi.

10 golat e shënuar në këtë sezon të Serisë B me Çezenën kanë bërë që shumë ekipe si Palermo, Parma dhe Lacio të kërkojnë informacione për të. Edhe Uest Hemi është duke e ndjekur me interes 22-vjeçarin kuqezi, i cili ka kontratë me Çezenën deri në vitin 2028 dhe mund të largohet për 3.5 milionë euro. Juventusi ka rinovuar zyrtarisht kontratën e talentit shqiptar Arman Durmishi.

Sulmuesi 17-vjeçar që është pjesë e bardhezinjve prej 1 viti do të qëndrojë deri në 2028-n. Në këtë sezon me të rinjtë e Juves ai ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 2 asiste. Durmishi është pjesë e Kombëtares U-19.

Tv Klan

/tvklan.al