Hiqet detyrimi për maskat në ambiente publike

Ulja e rasteve të reja të të infektuarve me koronavirus u ka dhënë dorë autoriteteve shëndetësore greke që të lehtësojnë masat. Krahas heqjes së detyrimit për maska në ambientet publike dhe reduktimit të orës policore duke filluar nga e Hëna, punonjësit që kanë kryer vaksinimin e plotë nuk do të duhet më të bëjnë teste për t’i raportuar në vendet e punës.

Në bare, kafene dhe restorante, 10 persona tani mund të ndajnë një tryezë dhe numri i mysafirëve të lejuar në lokale pritet te rritet në 300 persona. Në plazhet greke do të lejohen maksimumi 120 klientë për 1000 metra katrorë plazh.

Profesorja e asociuar e pediatrisë në Universitetin e Athinës, Vana Papaevangelou, tha se maskat janë akoma mbrojtja më e mirë nga virusi. Maskat kërkohen ende në hapësira të mbyllura, përfshirë transportin publik dhe dyqanet.

Autoritetet shëndetësore greke njoftuan 520 raste të reja të konfirmuara të koronavirusit dhe 14 vdekje në 24 orët e fundit. Në destinacionet kryesore turistike greke, mosha mesatare e njerëzve të sapo infektuar është rreth 20 vjeç.

Klan News