Përshtatur në shqip, artikull i La Repubblica

Në Bruksel askush nuk dëshiron të shprehet me siguri. Është një masë e mençur, sidomos pasi një javë më parë marrëveshja me Shtetet e Bashkuara dukej pranë përfundimit dhe papritur Trump e rrëzoi gjithçka.

Por ekziston edhe vetëdija se edhe pse negociatat kanë rifilluar për të arritur një marrëveshje “të drejtë”, ose të paktën të pranueshme, mbeten ende shumë mosmarrëveshje për t’u kapërcyer. Për këtë arsye, dy javë para datës vendimtare, 1 gushtit, Komisioni Evropian vazhdon të përgatisë edhe kundërmasa të mundshme, duke hartuar një paketë të re për të goditur kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe shërbimet e tjera amerikane.

Mbrojtje për makinat dhe barnat

Çështja kryesore, sipas burimeve të njohura me dosjen, janë makinat. Një sektor kyç për industrinë evropiane, dhe në veçanti atë gjermane, mbi të cilat SHBA-të kanë vendosur tarifa 25%.

Komisioneri Sefcovic kërkon një heqje të plotë të tarifës, duke përjashtuar nga taksat një kuotë të automjeteve që përputhet me eksportet aktuale, dhe në këmbim, ofron heqjen e taksave evropiane. Por kjo duket e vështirë: nga pala amerikane është përfolur për një “ulje” në 15%. Mbretëria e Bashkuar ka marrë një tarifë 10%, por për një sasi shumë më të vogël automjetesh.

Sektori tjetër për të cilin Brukseli kërkon garanci është ai farmaceutik, kategoria kryesore e eksportit drejt SHBA-ve, për të cilën Trump ka thënë se së shpejti do të vendosë tarifa progresive, për të shtyrë kompanitë të prodhojnë brenda territorit amerikan. Europa propozon një marrëveshje që nxit investimet në SHBA, por pa i larguar ato nga territori evropian. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë forme do të marrë një marrëveshje e tillë, pasi vendimet përfundimtare i takojnë kompanive.

Vija e kuqe e ligjeve

Gjetja e një zgjidhjeje për këto dy çështje dhe në plan të dytë për sektorin agro-ushqimor, duket edhe më e rëndësishme sesa tarifa bazë për mallrat e tjera, për të cilat Europa e konsideron të pranueshme një nivel prej 10%, ndonëse disa shtete do të pranonin edhe 15%.

Janë tashmë të njohura angazhimet për të blerë gaz dhe armë amerikane, ashtu si edhe gatishmëria për të bashkëpunuar kundër praktikave tregtare të shtrembëruara të Kinës.

Problemi është që, edhe pasi të arrihet një marrëveshje, Trump mund të vendosë përsëri se nuk i përshtatet. Presidenti kërkon që BE-ja të zbusë rregullat për sigurinë digjitale dhe ushqimore, të cilat, në mënyrë të padrejtë, ai i konsideron si barriera tregtare. Por kjo është një vijë e kuqe: Europa nuk mund të pranojë shantazhe mbi ligjet e saj, dhe për këtë arsye ka krijuar “bazukën kundër shantazhit”, të cilën disa vende tashmë duan ta drejtojnë ndaj Shtëpisë së Bardhë.

Kundërmasa të reja

Komisioni me mbështetjen e shumicës së qeverive, e konsideron këtë të parakohshme. Megjithatë, ndërkohë po përpiqet të shtojë një tjetër armë në arsenalin e tij të kundërmasave, përveç dy paketave ekzistuese të kundërtarifave kundër mallrave amerikane, të cilat janë miratuar por ende nuk janë aktivizuar.

Kjo është një paketë e tretë që, sipas raportimeve të Financial Times, do të synonte shërbimet, një sektor ku SHBA ka një suficit të madh tregtar. Dhe nuk do të kufizohej vetëm te kompanitë e mëdha të teknologjisë, por do të përfshinte edhe fusha të tjera, si financa. Një ligj i vitit 2021 parashikon që në rast shkeljeje të marrëveshjeve tregtare, Komisioni mund të vendosë masa hakmarrëse, si përjashtimi i kompanive amerikane nga tenderët publikë.

Deri më 1 gusht, sidoqoftë, linja zyrtare është të negociohet dhe jo të rritet toni. Në këtë kuadër duhet lexuar edhe lajmi se Brukseli ka vendosur të pezullojë hetimin ndaj X për shkelje të mundshme të ligjit për shërbimet digjitale. Edhe pse Trump dhe Musk nuk janë më aleatë, është më mirë të mos e provokosh./tvklan.al