Një djalë përpiqet të qetësojë turmën: “Ndaluani, ne nuk jemi kështu”. Brohoritja e turmës dobësohet. Disa e kuptojnë vonë, dëgjohet një batutë e fundit “në djall Orbán”, pastaj gjithçka heshtje. Turma e mbledhur poshtë skenës është bindur dhe vazhdon të bindet kur disa minuta më vonë djali kap mikrofonin: “Sapo të vijë Peter, ngrini celularët lart!’.
Dielli po perëndon dhe mbi skenë shfaqet shkrimi “Tani ose kurrë”, i ndriçuar nga dritat e sheshit. Në fund Peter Magyar ngjitet në skenë dhe pritet me brohoritje të madhe: “Mirëmbrëma Kecskemét!”, fillon ai. Errësira thyhet nga një lumë telefonësh të ndezur që shfaqen njëkohësisht. (Kecskemét është një qytet në Hungari, rreth 85 km në jug të Budapestit).
Ndërsa Magyar përjeton duartrokitjet në skenë, turma nis një tjetër brohorimë: “Arada Tisza”, “lum i përmbytur”. Tisza është emri i partisë së tij, por në Hungari bluja e posterëve të tij rrallë shihet në media, radio apo televizion.
90% e mediave tradicionale kontrollohen nga Viktor Orbán dhe oligarkët e tij, dhe opozita ka qenë e përjashtuar prej vitesh. Por në këtë shesh, posterët blu dhe flamujt hungarezë valëviten kudo. Magyar brohorit: “Jemi shumë! Jeni gati?”.
Markus Akos, 63 vjeç, i dalë në pension, ka ardhur në protestë me gruan e tij: “Kam votuar Orbán-in për shumë vite. Por tani jam i zhgënjyer. Ai nuk është më patriot. Është i korruptuar dhe shërbëtor i Putin-it”, thotë duke valëvitur një flamur hungarez.
Një orë e gjysmë larg Budapestit, mijëra njerëz duket se presin një njeri të shenjtë, një politikan që mund të ndryshojë gjithçka dhe t’i japë fund 16 viteve të regjimit autokratik.

Rreth Magyar-it, i quajtur “tradhtar” nga rivalët e tij është krijuar një kult. Fushata e tij elektorale zhvillohet larg mediave tradicionale, vetëm në sheshe dhe në rrjete sociale, e koordinuar si një shfaqje e Broadway-it, me dy dronë që regjistrojnë çdo gjë për transmetime live.
Magyar ka udhëtuar në gjithë Hungarinë dy vitet e fundit, duke mbajtur nga 3 deri në 5 mitingje në ditë për zgjedhjet e 12 prillit. Ai ka folur para turmave qindra herë, madje edhe në fshatrat më të vegjël, duke sfiduar Orbán-in në zonat rurale të Hungarisë. Në sondazhe është përpara me 8-10 pikë dhe shumë do të varet nga partitë e pakta që nuk kanë tërhequr kandidaturën. Opozita tjetër ka vendosur të mos marrë pjesë, duke lënë kështu fushatën më të rëndësishme të dekadës në duart e Magyar-it.
Veronika Kövesdi, profesoreshë e komunikimit në Universitetin Eötvös Loránd, thotë: “Para se të jetë parti, ajo e Peter Magyar është një komunitet”. Djali i një gjykatëse të Gjykatës së Lartë, nipi i motrës së ish-presidentit Ferenc Mádl, i rritur në Budapest, Magyar është pjesë tipike e elitës hungareze. Ai ka punuar për vite me radhë nën Orbán-in si diplomat dhe funksionar i lartë i Fidesz, deri sa një skandal i shkaktoi një mundësi të artë: në shkurt të vitit 2024, një pedofil i falur nga presidentja Katalin Novák solli dorëheqjen e saj dhe të ministres së Drejtësisë, Judit Varga. Burri i Varga-s është Peter Magyar, i cili më pas jep një intervistë për Partizan, e vetmja televizion opozitar, duke denoncuar “moralin e dyfishtë” dhe “korrupsionin struktural” të partisë së tij.
Kjo ishte një “bombë” dhe fillimi i një lëvizjeje që “lind fillimisht në rrjetet sociale, në komunitetet e vullnetarëve, të quajtura Ishujt Tisza dhe pastaj përhapet gjithandej”, thotë Kövesdi.
Magyar ka një avantazh të madh mbi liderët e tjerë të opozitës që kanë sfiduar Orbán-in për 16 vite: e njeh thellë, njoh strategjitë dhe gjuhën e tij komunikative. Madje ka adoptuar filozofinë e tij “të ndryshojmë regjimin” që e çoi Orbán-in në pushtet në 2010. Ndërkohë, mesazhi i Magyar-it është pozitiv, konstruktiv dhe jo i urrejtjes si ai i Orbán.
Magyar është më i ri, ka premtuar të çlirojë Hungarinë nga korrupsioni endemik, nga nënshtrimi ndaj Vladimir Putin-it dhe ta rikthejë në Europë. Nga skena në qytetin Kecskemét, ai premton rikthimin e 18 miliardë eurove të bllokuara nga Komisioni Europian dhe shkrimin e programit 200-faqësh që përfshin adoptimin e euros dhe rikthimin e besimit me Brukselin dhe NATO-n. Por për Ukrainën, Tisza kundërshton anëtarësimin e shpejtë të Kiev-it në BE dhe refuzon çdo mbështetje ushtarake.












Botërori 2026 
