Duket se Brad Pitt ka vendosur të provojë adrenalinën e Formula 1, nga sedilja e pasagjerit pranë shtatë herë kampionit të botës, Lewis Hamilton.
Pitt, i njohur për rolet e tij në filma aksion, e gjeti veten përballë adrenalinës së vërtetë të garave me makinë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, shpejtësia ishte aq e lartë saqë Pitt nuk mund ta fshihte ankthin e tij, duke i kërkuar Hamiltonit të ngadalësonte shpejtësinë, e madje duke iu lutur të dilte jashtë.
Të dy kanë bashkëpunuar për filmin e shumëpritur F1, traileri i të cilit doli pak ditë më parë. Pitt do të luajë rolin e një piloti veteran të quajtur Sonny Hayes, i cili po kthehet në rrjetin e “Formula 1” pas një mungese të gjatë.
Në prodhimin e filmit, merr pjesë edhe Lewis Hamilton, i cili ka patur edhe një rol këshillues për çështjet e garave ashtu edhe në përzgjedhjen e kastit.
Xhirimet për filmin nuk janë zhvilluar kur makinat e tjera kanë qenë në pistë, por gjatë pushimeve ndërmjet garave të ndryshme.
Piloti i Formula 1 Lewis Hamilton aspiron që ky film të jetë më i miri i realizuar ndonjëherë për garat e Formula 1.
Ky projekt kinematografik do të dalë në kinema më 27 Qershor 2025.
Klan News