Presidenti amerikan Donald Trump shpalli një armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, ndërsa sinjalizon përparime që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje edhe me Iranin. Sipas asaj që njoftoi përmes rrjeti të tij social Truth, armëpushimi nisi në orën 23 të kësaj të enjteje sipas orës së Shqipërisë.
“Sapo pata biseda të shkëlqyera me Presidentin e respektuar të Libanit, Joseph Aoun dhe Kryeministrin e Izraelit, Bibi Netanyahu. Ata kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor si hap drejt paqes”, tha Trump.
Po përmes Truthit, Trump i ftoi të dy liderët në Shtëpinë e Bardhë për bisedime direkt, çka do të shënonte takimin e parë kuptimplotë mes krerëve të këtyre dy shteteve që prej vitit 1983.
Armëpushimi në Liban u përshëndet nga krerët e qeverive të dy vendeve. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e konsideroi atë “historik”. Netanjahu sqaroi se ushtria izraelite do të qëndrojë deri 10 kilometra në brendësi të Libanit në një distancë sigurie nga kufiri me Izraelin.
Të martën, diplomatët e dy vendeve zhvilluan takimin e tyre të parë pas 34 vitesh në Uashington me ndërmjetësimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit Marko Rubio. Pak para pauzës, Izraeli shkatërroi urën e fundit mbi lumin Litani, duke izoluar jugun e Libanit në kuadër të planit për krijimin e një zone sigurie.
Sulmi 47-ditor izraelit iu ka marrë jetën mbi 2.100 personave në Liban. Përpjekje po bëhen ndërkaq edhe për një raund të dytë negociatash mes Shteteve të Bashkaura dhe Iranit në Pakistan. Donald Tramp tha se edhe me Iranin janë pranë një marrëveshjeje, pasi Teherani është duke pranuar të gjitha kushtet. Sipas tij, kushtin kyç, programin bërthamor, Irani ka pranuar të japë garanci se s’do të zhvillojë armë bërthamore për të paktën 20 vitet e ardhshme. Raundi i dytë i bisedimeve mund të zhvillohet në fundjavë në Islamabad.
Në Ngushticën e Hormuzit mbetet në fuqi bllokada amerikane. Komanda e ushtrise së Shteteve të Bashkuara njoftoi se deri më tani, 14 anije tregtare janë kthyer mbrapsht pasi u paralajmëruan nga Marina e SHBA-ve se nuk do të lejohen të kalojnë drejt porteve iraniane pa një marrëveshje bërthamore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 