Në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel u diskutua edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, të cilën e kanë vlerësuar si të brishtë. Në konkluzionet e Samitit, thuhet se Këshilli Evropian do të merret sërish me këtë çështje në mbledhjen e muajin Prill.

Kryeministri Plenkoviç tha se ai ju paraqiti liderëve evropiane shqetësimin e tij për situatën në rajon, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, por Hungaria vuri veton që kjo të përfshihej në tekstin e konkluzioneve të Këshillit Evropian.

“Në një kohë kur BE-ja po merret me shumë çështje të tjera në mbarë botën, nuk duhet të harrojë situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne diskutuam edhe për ndikimin që mund të ketë kjo situatë në rrugën e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe në sigurinë e përgjithshme në rajon”, u shpreh Andrej Plenkoviç.

Duke iu referuar deklaratave të Vuçiç kundër marrëveshjes ushtarake të Zagrebit me Tiranën dhe Prishtinën, Plenkoviç theksoi se ajo nuk është e drejtuar kundër askujt, por synon të rrisë bashkëpunimin mes tre vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në fushën e reformave për integrimin euroatlantik.

Ai shtoi se Kroacia nuk ka nevojë të pyesë askënd, as Serbinë e as Aleancën Veriatlantike, NATO-n, për këtë çështje.

Duke folur pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha po në Bruksel se Kroacia dhe Shqipëria, me këtë memorandum, kanë shkelur një marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve, e cila është nënshkruar në vitin 1996, madje sipas tij këto vende as nuk e kanë njoftuar NATO-n për këtë çështje.

Vuçiç tha se me këtë Kroacia dhe Shqipëria kanë provokuar një garë armësh në rajon.

Klan News