Nga amnistia do të përfitojnë personat që kanë marrë një dënim të formës së prerë deri më 31 maj 2026. Komisioni i ligjeve që ka miratuar projektligjin e qeverisë nen per nen me votat e shumicës dhe një votë pro të demokratit Arian Ndoja ka vendosur ta shtyjë dhe me 5 muaj afatin e amnistisë që në dokumentin e miratuar në parim javën e shkuar kishte të përcaktuar 31 dhjetor 2025.

Projektligji kërkon 84 vota për tu miratuar në seancë por kryetari socialist i komisionit të ligjeve ka kërkuar dhe kontributin e opozitës për të pasur nje mbështetje unanime.

“Kundër s’ka, abstenim s’ka, miratohet. Në datë 18 ftoj dhe opozitën të kalojë me 140 vota, edhe pse 84 duhen, tha Manja.

“Unë do ta jap votën time pro edhe atje, por do t’i them të gjitha që ta dëgjojnë edhe ata që janë juristë, edhe ata që përfitojnë, ta dinë që amnistinë e keni ju si iniciativë, por nuk po e bëni të plotë. Ne jemi që ta shtrijmë edhe më gjerë”, tha Ndoj.

“Atje do flasin të gjithë për amnistinë, është moment kur flasin të gjithë deputetët. Thuaji të gjitha, por e rëndësishme është që të bashkosh votën me ne”, tha Manja.

“Unë e kuptoj që ju ka ikur një deputet dhe doni vota”, tha Gjoni.

“Po, po”, tha Manja.

Pas zgjatjes se afatit ministria e drejtësisë do duhet të bëjë rillogaritjet për përfituesit si për të burgosurit që përfitojnë lirinë ashtu dhe ata që do të kenë ulje dënimi.

Me hyrjen në fuqi te amnistisë lirohen menjëherë gratë që u kanë mbetur deri në 4 vite burg dhe burrat që u kanë mbetur deri në 3 vite, pavarësisht dënimit fillestar.

Me përjashtim të veprave të rënda penale, përfitojnë gjithashtu gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël kur kanë kryer veprën.

Kategoritë nuk përfitojnë nga amnistia e plotë, por vetëm nga një ulje dënimi me një vit jane persona të dënuar për vepra të rënda penale, krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra kundër fëmijëve, përfshirje në organizata kriminale apo korrupsion ndërsa përjashtohen personat e dënuar për krime kundër njerëzimit, Krime kundër jetës, krime kundër shëndetit, Krime kundër mjedisit, Krime kundër pavarësisë e rendit kushtetues, Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, Krime me qëllime terroriste, Krime kundër autoritetit të shtetit,Krime kundër drejtësisë, Krime kundër zgjedhjeve, Krimet nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, si dhe krime që gjykohen nga GJKKO.

/tvklan.al