Debati për reformën territoriale u shoqërua me përplasje të forta në Komisionin e Ligjeve pas vendimit të SPAK-ut dhe GJKKO-së për të lënë në “arrest shtëpie” ish- drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Opozita njëzëri kërkoi reagim institucional nga parlamenti dhe Presidenti për sigurinë kombëtare, por maxhoranca e cilësoi rastin e Vlora Hysenit si një çështje që tashmë i përket drejtësisë.

I njëjti tension shoqëroi edhe diskutimet për reformën territoriale. Demokratët e cilësuan antikushtetuese dhe të pakonsultuar me qytetarët nismën e shumicës, duke kërkuar rikthimin në kuvend të draftit, por propozimi i tyre u hodh poshtë nga kreu i komisionit të ligjeve. Vendim që çoi më pas në bojkotimin e mbledhjes nga përfaqësuesit e opozitës.

Për shkeljet e pretenduara demokratëve ia dha përgjigjen në sallën gjysmë bosh ish-bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës territoriale Arbjan Mazniku.

Por opozita jashtë kuvendit paralajmëroi jo vetëm përshkallëzim të aksionit politik në seancën plenare të 8 tetorit kur është parashikuar votimi i draftit në Kuvend, por edhe atakimin e ligjit në kushtetuese.

Përplasja e kësaj të mërkure shënon edhe prishjen e konsensusit politik për reformën territoriale, ku maxhoranca redukton nga 61 në 46 numrin e bashkive, ndërsa opozita propozon një hartë me 100 bashki.

/tvklan.al