Domosdoshmëria e miratimit të një ligji për financimin e partive politike, por edhe një reforme të gjithpërfshirëse zgjedhore, si hapa drejt ndërtimit të besimit te zgjedhjet, ka bërë bashkë partitë politike, KQZ-në por edhe përfaqësues ndërkombëtarë në një konferencë të organizuar nga Universiteti i Helsinkit.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, dha propozime konkrete për projektligjin për financimin e partive, që me dakordësi palët kanë vendosur të miratohet brenda datës 30 dhjetor.
Bashkëkryetari demokrat, Bylykbashi, rreshtoi problematikat e konstatuara në zgjedhjet e fundit që, sipas tij, prishin barazinë në garë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve po ashtu foli konkretisht për sanksionet që duhen vendosur për t’i vënë fre fshehjes së të ardhurave.
“Vendosja e sanksioneve proporcionale, të forta dhe të zbatueshme. Gjoba të bazuara mbi përqindjen e fondeve publike (p.sh. 2% për mosraportim), pezullim të fondeve publike për vitin pasardhës, konfiskim fondesh, përgjegjësi penale për shkelje të rënda. Kjo qasje është në linjë me standardet ndërkombëtare për masa proporcionale dhe efektive”.
Ndërsa ambasadori i BE-së i pranishëm në tryezë u kujdes të kujtonte se ky projektligj është i parashikuar te kriteret e ndërmjetme, të cilat nëse nuk përmbushen ndikojnë te mbyllja e grupkapitujve të negociimit.
“Më lejoni të jem i qartë, jemi në një pikë kritike për Shqipërinë, një moment kur vendi pritet të bëjë hapa thelbësorë përpara në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ky është parakushti për mbylljen e përkohshme të çdo kapitulli tjetër të acquis të BE-së. Pa këtë hap përpara, nuk mund të mbyllim asnjë kapitull”.
Të gjitha amendimet që do t’i bëhen Kodit Zgjedhor, anëtarët e komisionit bipartizan me dakordësi vendosën një ditë më parë t’i përfundojnë deri në korrikun e vitit të ardhshëm.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 