Katër të rinjtë shqiptarë të ndaluar në Serbi janë liruar dhe do të hetohen në gjendje të lirë, pas vendimit të marrë nga Gjykata.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili konfirmoi se të rinjtë nuk do të përballen me masë sigurie, por procedurat ndaj tyre do të vijojnë pa arrest.

“Katër djemtë shqiptarë të ndaluar në Serbi do të lirohen menjëherë dhe hetohen më pas në gjendje të lirë. Ky është vendimi i Gjykatës.”, shkruan Balla në një postim në rrjetin social Facebook.

Vendimi u mor pas përfundimit të seancës në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, ku autoritetet shqyrtuan rastin e katër shtetasve shqiptarë të ndaluar disa ditë më parë.

Sipas gjykatës, atyre u janë sekuestruar telefonat celularë me të cilët janë realizuar videot, ndërsa pritet të largohen nga territori i Serbisë pasi të përfundojnë procedurat përkatëse.

Autoritetet serbe kishin pretenduar se materialet e publikuara përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes mbi baza kombëtare, fetare dhe racore, çka çoi edhe në ndalimin e tyre.

Në videon për të cilën bëhet fjalë, të rinjtë shfaqen me një bluzë me hartën e “Shqipërisë së Madhe”, duke udhëtuar me një automjet “Audi”.