Fshati piktoresk i Linit në Pogradec është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke u përfshirë tashmë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ky status i ri për Linin, që ndodhet në brigjet e liqenit të Ohrit, vlerëson peizazhin e veçantë natyror që ndërthur trashëgiminë kulturore e natyrore, urbanistikën tradicionale me rrugica kalldrëmi dhe bashkëjetesë komunitare, si dhe arkitekturën unike të përshtatur me klimën dhe resurset lokale.
Lajmin e ndau në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, për këtë vlerësim të rëndësishëm të fshatit piktoresk. Lini mbetet një nga destinacionet më të bukura të Shqipërisë, që dëshmon lidhjen e ngushtë mes njeriut, traditës dhe natyrës në brigjet e liqenit më të vjetër të Evropës.
Pas zbulimeve të fundit arkeologjike nëntokësore dhe nënujore, është vërtetuar se aty ndodhet vendbanimi më i vjetër palafit në Europë, që daton 8000 vjet më parë.
Një nga thesaret më të çmuara të Linit mbeten rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat. Gjithashtu, gërmimet arkeologjike të viteve të fundit kanë zbuluar një kishë të lashtë, që i përket periudhës së shekujve V–VI pas Krishtit.
Kjo kishë dallohet për mozaikët e saj të mrekullueshëm, të stolisur me motive gjeometrike dhe shenja të besimit të krishterë. Ruajtja e tyre e jashtëzakonshme tregon se dikur aty ka ekzistuar një qendër e rëndësishme fetare dhe kulturore, e cila pasqyron nivelin e lartë artistik dhe shpirtëror të asaj kohe.
Studiuesit nga Shqipëria, Zvicra dhe vende të tjera kanë dokumentuar me kujdes çdo element për të rindërtuar jetën e hershme të banorëve. Ndërkohë, vetë fshati, me shtëpitë prej guri dhe rrugicat me kalldrëm, ruan një magji që e bën unik për vizitorët, të cilët sa vijnë e bëhen më të shumtë vit pas viti, duke e kthyer Linin në një atraksion turistik të larmishëm në vend.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 