Çuçi: Monitoron çmimet, frenohet gjuetia e paligjshme

Liqeni i Shkodrës nga e hëna do të ketë në funksion qendrën e ankandit të peshkut që mundëson disiplinimin e produkteve peshkore, pajisjen me certifikatë origjine nga liqeni dhe monitoron çmimet për të shmangur kështu abuzimet nga ana e tregtarëve.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi i cili pa nga afër këtë investim tha se qendra e ankandit të peshkut do të sjellë edhe frenimin e gjuetisë së paligjshme.

“Kjo qendër synon të disiplinojë produktet peshkore që nxirren nga liqeni për të dalë në treg në mënyrë që të kemi një përfitim maksimal për peshkatarët e ligjshëm dhe t’i vëmë fre atyre që gjuajnë në mënyrë të paligjshme. Ky është një instrument tjetër për të ndalur peshkimin e paligjshëm në Liqenin e Shkodrës. Edhe masa që ne morëm duke i targuar varkat një vit më parë kanë dhënë rezultat. Targimi i varkave ka qenë një veprim i duhur. Tani nëpërmjet këtij sistemi më vjen mirë që dëgjoj që gjuetia e paligjshme është minimizuar dhe pothuajse nuk ekziston”.

Kjo qendër e cila sipas specialistëve plotëson të gjitha standardet e sigurisë ushqimore është një investim me vlerë rreth 4.5 milionë lekë të reja, kryer me fondet e vetë Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Shkodër.

Në Shkodër ushtrojnë aktivitetin rreth 450 peshkatarë dhe qendra e ankandit do të ofrojë të dhëna më të sakta për kapacitetet prodhuese.

Klan Plus