UNESCO shpalli Liqenin e Shkodrës “Rezervë Biosfere”.
Vendimi erdhi në Ditën Botërore të Mjedisit, ku Liqeni i Shkodrës ishte pjesë e një liste me 14 rezerva të reja të biosferës. Statusi i rezervës së biosferës i UNESCO-s jepet për territore me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, ku njerëzit dhe natyra mund të rriten në harmoni me njëri-tjetrin, duke ruajtur diversitetin biologjik dhe kulturor, duke çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm dhe duke lidhur komunitetet në një rrjet global.
Aplikimi i Shqipërisë u bë në fund të vitit 2025 në kuadër të projektit “Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës, një Rezervë Ndërkufitare e Biosferës”, i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi.
Synimi ishte njohja globale e vlerave ekologjike të liqenit, pasurisë së habitateve natyrore dhe rolit të tij kyç në ruajtjen e ekuilibrave mjedisorë në rajon.
Pellgu i Liqenit të Shkodrës përfshin vetë liqenin, daljen e tij përmes lumit Buna, lumenjtë Cem dhe Kir me degët e tyre, si dhe bashkimin e Drinit me Bunën. Së bashku, këto rrugë ujore krijojnë një peizazh të veçantë dhe dinamik që mishëron historinë e njerëzve dhe të vendit, duke reflektuar ndërveprimin e madh të njerëzimit dhe natyrës.
Liqeni i Shkodrës ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe njihet si një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Evropën Juglindore. Ai strehon qindra lloje shpendësh, peshqish dhe specie të tjera të florës e faunës, disa prej të cilave janë të rralla ose të rrezikuara.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 