U arrestua si autor i vrasjes së ish-policit Arben Bilali

Pas arrestimit me shumë bujë si autor i dyshuar i vrasjes së ish-policit, Arben Bilali, Apeli ka liruar nga qelia Gjergj Cukalin. Kjo gjykatë ka hedhur poshtë vendimin e Shkallës së Parë, duke caktuar si masë shtrënguese për të detyrim paraqitje në prokurori. Arrestimi i tij u bë pasi organi i akuzës dhe policia sollën si prova gjurmë ADN-je, të cilat Cukali i kishte lënë në makinën që u përdor në vrasje.

“I forti” i rrugës së “Myslim Shyrit” u prangos më 31 Maj, 4 muaj pas vrasjes. Ajo u regjistrua si një ngjarje e zbardhur, por motivi i krimit nuk u bë publik asnjëherë. Por tre muaj më pas, Apeli argumenton se grupi hetimor nuk ka prova bindëse për ta mbajtur në burg 38-vjeçarin, duke urdhëruar lirimin.

I vetmi që ndodhet në qeli për këtë ngjarje është Arben Xhetani, i cili dyshohet se është personi që vodhi mjetin e përdorur në vrasje. Ish-efektivi i policisë, Arben Bilali, u qëllua për vdekje pranë banesës së tij, në zonën e Selitës, pasi doli nga një automjet. Hetuesit dyshojnë se motiv i krimit është hakmarrja.

Tv Klan