Mazhoranca dhe opozita janë dakordësuar në parim për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Sipas propozomit, në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë edhe qytetarët me banim jashtë vendit.

Ata duhet të bëjnë kërkesë për të votuar pranë Gjendjes Civile dhe KQZ-së dhe të paraqesin dokumentet në një adresë të saktë.

“Adresa e shtetasit që voton nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mbështetet në një nga dokumentet që paraqet në KQZ, sipas pikës 5 të këtij neni. Të dhënat e identitetit të shtetasit kërkohen të verifikohen nga KQZ në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe nëse ato janë të njëjta behet regjistrimi i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në një rubrikë të veçantë.”

Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit.

Në draft thuhet se lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

Votimi sipas këtij drafti do të realizohet me postë e cila do të përzgjidhet një operator ndërkombëtar. Kostot e postës do të do të paguhen nga qytetarët që do të marrin pjesën në procesin zgjedhor.

“KQZ përzgjedh me procedurë të hapur një operator postar me eksperiencë dhe reputacion ndërkombëtar që siguron postë të shpejtë. Fletët e votimit të plotësuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkurtra që mundëson legjislacioni për prokurimin publik.”

Në draftin konsesual, palët janë dakordësuar gjithashtu që listat të jenë 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur. Kjo dakordësi për listat ka ardhur me argumentin e ruajtjes së kuotave gjinore. Nëpërmjet kësaj formule, Partitë politike do të shkojnë me dy lista, ku do të të jenë emrat e kandidatëve në listën e mbyllur dhe të tjerët në listën që do i nënshtrohen votës preferenciale.

Sipas draftit të dakordësuar nga palët, mazhoranca është tërhequr nga herësi prej 7 mijë votash, ndërsa nuk ka pranuar propozimin e opozitës për koalicione parazgjedhore.

Klan News