03 nëntor 2026- Kryeministri Edi Rama, nga Brukseli, mori pjesë në “EuroNews Enlargement Summit”, ndërsa komentoi perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke u ndalur fillimisht te qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe rëndësia e integrimit evropian për rajonin.

Kreu i qeverisë u shpreh se, pavarësisht çështjeve komplekse që shoqërojnë procesin, Bashkimi Evropian mbetet alternativa më e mirë për vendet e rajonit.

Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht ndryshimeve politike që ndodhën pas zgjedhjeve, Serbia vijon të mbajë një qëndrim të mbyllur ndaj njohjes së Kosovës.

“Po ndodhin gjëra dhe ka shumë çështje komplekse tani që flasim, por në fund të fundit nuk ka asgjë më të mirë se Bashkimi Europian. Kështu e shoh unë!Dëgjoni, ajo çfarë di është që fituesit në Beograd nuk tregojnë hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, për shqiptarët, që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështje, kështu që, kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë.”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Serbia përbën një pjesë të rëndësishme të mozaikut të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se rajoni nuk duhet ta lejojë atë të largohet nga kursi europian.

Sipas Ramës, braktisja e projektit evropian nga Serbia do të kishte pasoja negative për të gjithë rajonin, ndërsa përgjegjësia për korrigjimin e gabimeve i takon vetë Beogradit.

“ Unë nuk i jap leksione askujt. Mua më japin leksione, duke qenë se jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht pjesë e BE. Kështu që, jemi ne ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione. Ky është rregulli këtu në Bruksel.

Pra, nuk do t’i jap leksion askujt, por do të them thjesht, që po, Serbia është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij mozaiku të Ballkanit Perëndimor, por gjithmonë kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe njëfarësoj të braktisë projektin europian sepse kjo do të dëmtonte pikë së pari rajonin tonë. Nga ana tjetër, sidoqoftë e dimë si shkojnë gjërat. Nëqoftëse do të hysh në Bashkimin Europian të duhet të realizosh gjëra në shumë aspekte.

Kur bëhet fjalë për aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar një hezitim dhe jo vetëm normalizimi me Kosovën, por dhe qëndrimi që ka karshi Rusisë, sanksioneve dhe gjërave të tjera. Pra, unë do të thoja, po, na duhet Serbia të jetë me ne, duhet që Serbia të jetë pjesë e një fqinjësie që duhet të jetë pjesë e plotë e BE, por edhe një herë, Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi duke realizuar plotësisht atë çka është e panegociueshme në raport me BE.”, u shpreh Rama.


Marrëveshja e emigrantëve me Italinë, Rama: Do qëndrojë në fuqi derisa Meloni të jetë kryeministre

Kryeministri Rama foli edhe për marrëveshjen për emigrantët më Italinë, për të cilën tha se ajo do qëndrojë në fuqi për aq kohë sa Giorgia Meloni do jetë kryeministre e Italisë.

“Më lini të përfundoj se ju doni ta mbyllni në kohë. Nuk është një çështje kaq e madhe sa duhet të zërë mendjen e Europës.

Mendoj që është një përpjekje për të gjetur një rrugëzgjidhje apo një rrugëzgjidhje të ndryshme për të trajtuar një çështje, e cila nuk është se do të zhduket se do të forcojmë kufijtë, se do të zhduket vetëm sepse do të lidhim marrëveshje të këtij lloji dhe nuk do të zhduket për aq kohë sa përdoret për qëllime të politikës së brendshme nga parti të ndryshme, që duan të marrin copa të elektoratit, duke folur për këtë gjë që është një sfidë e jashtëzakonshme. Është një sfidë civilizimi rreth asaj çfarë jemi dhe do të jemi nesër.

Doni që të nxirrni një titull? Doni që të nxirrni një titull për motrën time në Romë, por nuk do t’ua jap. Marrëveshja do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme edhe përtej në 2030, 204, 2050, deri sa ajo të jete kryeministre e Italisë“, theksoi Rama.


Kryeministri Rama thirrje BE-së: Na merrni në shtëpi, sepse është edhe shtëpia jonë

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të guximshëm për të pranuar vendet të reja në gjirin e saj dhe e gjitha kjo pohoi kryeministri të bazohet në meritë.

“Po sepse s’më ke takuar më shpesh që ta diskutojmë. Është diskutuar dhe është diskutuar në çdo rast. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë apo me Malin e Zi apo me kë vjen pas. Ka të bëjë me vetë BE. Ka të bëjë me vetë Europën. Çfarë është Europa e çfarë kërkon të jetë. Unë besoj fort se në një botë që po çmendet, ku ka realitete që po ndryshojnë, forca që krejt befas po bëhen shumë të rëndësishëm, BE duhet të bëjë diçka që është po kaq e guximshme dhe që shkon përtej asaj pune të zakonshme të përditshme, që është e mirë për ne për arsyet që përmenda më parë. Unë kam bindjen se procesi i bazuar në meritë, duhet të jetë. Gjithkush duhet të kalojë nëpër këtë proces.

Askush nuk duhet të kërkojë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër apo ndonjë fleksibilitet në proces, sepse në fund të fundit është njësoi si patenta. Të duhet patentë, por të duhet edhe ta drejtosh mirë mjetin, se ndryshe nëqoftëse merr patentën pa mësuar se si t’i japësh makinës, do të përplasesh. Po kjo, është. Duhet të jetë në të njëjtën kohë sidoqoftë. BE duhet të jetë në gjendje të pikasë, të gjeje momentin Helmut Kohl, siç e quaj unë. Kur Helmut Kohl shkoi tek muri që ishte rrëzuar, nuk iu tha bashkëqytetarëve gjermano-lindor që ‘’tani jeni të lirë, por kam lajm për ju. Keni nja 33 kapituj që duhet t’i kaloni’’. Ju tha: ‘’Mirë se vini , të gjithë bashkë jemi në këtë situatë apo në këtë gjendje’’.

Pra, proces bazuar në meritë, por të gjithë përreth tryezës. Këtë duhet të bëjë Evropa sot, të sjellë gjithkënd rreth tryezës si pjesë e së njëjtës familje. Ashtu siç Ursula sjell ‘’7 fëmijët ‘’ e saj. Ne jemi 7. Po të na numëroni, jemi 5 vende negociuese apo në proces në Ballkanin Perëndimor plus Moldavinë dhe Ukraina. 7 ‘’Fëmijët’ e Ursulës po Ursula nuk i rriti fëmijët atje në lagje, dhe ju tha që ‘’shiko, rrituni aty dhe pastaj kur të rriteni e të piqeni, ejani të hani këtu me mamin edhe babin’’. Jo, i mbajti rreth tryezës dhe sigurisht që nuk ishin ata që merrnin vendime rreth tryezës, nuk morën më shumë se ç ‘meritonin. Duhet të shkonin në shkollë, në shkollë të mesme, në universitet, pastaj duhet të sillnin ca para në familje dhe pastaj mund të bëheshin gjithmonë e më tepër pjesë e vendimmarrjes. Kështu duhet të ndodhë. Duhet të jemi rreth tryezës dhe pastaj të gjithë kalojmë në procesin bazuar në meritë dhe kur dikush rritet mjaftueshëm behet anëtarë.

Kurse, ndërsa dikush nuk është rritur ende mjaftueshëm, është aty i pranishëm, por jo anëtar me të drejta të plota, por merr diçka më shumë nga tryeza. Dhe kur dikush si Serbia nuk realizon, është në tryezë, por nuk merr asgjë nga tryeza, por është ulur rreth tryezës dhe mesazhi për botën, për aktorët e tjerë është që ‘’jo jo, nuk mund t’i thoni asnjë popullsie në rajon, nuk mund t’i thoni moldavëve, serbëve, ukrainasve dhe të te tjerëve që kurrë nuk do të jenë pjesë e jona sepse ata janë këtu, janë pjesë e jona, janë ‘’fëmijët’’ e Ursulës, do të rriten mirë dhe pastaj do të vazhdojmë.

Në të kundërt nëqoftëse i lë fëmijët në lagje aty, vajza nuk vjen më në shtëpi se do bjerë në dashuri me një gangster rus. Djali nuk do jetë më i lumtur që të ndjekë procesin me meritë se do t’i pëlqejë të luajë me lodra kineze dhe pastaj ndoshta do të martohet me një robot kinez që duket si një bukuroshe bionde.

Nuk është ide e mirë t’i lësh fëmijët në lagje. Ideja më e mirë është t’i mbash fëmijët në shtëpi. Kështu që, na merrni në shtëpi. Është shtëpia jonë siç është dhe shtëpia juaj dhe pastaj keni gjithë kohën të na jepni dhe dru apo të na dënoni në tualet, të na thoni qëndroni në dhomë bëni detyrat, të mos na jepni mëngjes, të na thoni që nuk do hani drekë sepse ne nuk po japim rezultate në luftën kundër veseve tona. Këtë duhet të bëjë Europa, në të kundërt le të rrimë në lagje. Dhe meqë ra fjala nuk ka të bëjë me shqiptarët sepse ne mund të na lësh në lagje, ne do qajmë për ju, do luftojmë për ju dhe do presim që të na vijë ai litari që lëshohet nga dritarja por ka të bëjë me të tjerët“, theksoi kryeministri Rama.


/tvklan.al