Nëse turistët britanikë duan të pushojnë si në ishujt Maldive, por pa shpenzuar shumë Shqipëria është destinacioni evropian që ka plazhe të mrekullueshme. Ksamili, në veçanti për gazetën britanike “LiverpooL Echo” ofron mot me diell dhe plazhe ëndërrimtare me një buxhet mjaft të përshtatshëm për udhëtarët e huaj.

Ksamili është i njohur për plazhet e tij të bukura me rërë dhe ujërat e kristalta të detit Jon. Zona ofron një sërë gjiresh të vegjël me plazhe të bardha me rërë që shpesh krahasohen me ato të destinacioneve tropikale. Pikërisht në brigjet e Ksamilit ndodhen disa ishuj të vegjël që mund të arrihen lehtësisht me varkë apo edhe me not, në varësi të distancës së tyre nga bregu. Këta ishuj ofrojnë plazhe shtesë të izoluara dhe janë një atraksion për vizitorët e huaj.

Ksamili është afër parkut kombëtar të Butrintit një zonë e mbrojtur nga Unesco, i cili është i pajisur me rrënoja arkeologjike që datojnë mijëra vjet më parë. Ky destinacion është lehtësisht i aksesueshëm dhe sipas medias britanike udhëtarët mund të rezervojnë fluturime nga Liverpuli në Tiranë për vetëm 56 euro gjatë muajit shtator. Aeroporti i Tiranës është rreth katër orë me makinë larg Ksamilit, por aeroporti më i afërt ndërkombëtar është në fakt Korfuzi, në Greqi.

Klan News