Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është takuar me Kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti gjatë vizitës që po zhvillon në Prishtinë.

Lleshaj dhe Hoti diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe për tema të tjera.

“Në Prishtinë zhvillova një takim shumë të mirë pune me Kryeministrin Hoti, gjatë të cilit diskutuam për bashkëpunimin në fushën e sigurisë publike, lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, angazhimin e përbashkët të Policive përkatëse kundër migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore si dhe për masa të shtuara kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Temë tjetër e rëndësishme e bisedës ishte dhe organizimi së shpejti i Kongresit të Autoriteteve Vendore. Vizita në Kosovë ishte një mundësi e mirë për të dhënë një shtysë të re në bashkëpunimin dypalësh, i cili vijon të thellohet më tej, në frymën e vendimeve të marra së fundmi në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, shkruan në Facebook ministri Lleshaj.

Gjatë vizitës në Kosovë, ministri i Brendshëm u takua dhe me zyrtarë të tjerë të qeverisë. /tvklan.al