Për shtetasit shqiptarë është lehtësuar së tepërmi procedura e pajisjes me kartë ID (letërnjoftim elektronik). Qytetarët mund të riaplikojnë për kartën e identitetit në çdo zyrë aplikimi, pavarësisht vendbanimit.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloj një inspektim në zyrat e aplikimit në Njësitë 8&9 në Tiranë, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.

Ministri theksoi nevojën për përshpejtimin e procesit të aplikimit, duke iu bërë thirrje qytetarëve të pajisen me ID kartë në kohë, për të përfituar shërbimet online.

“Qytetarët në kuadër të lehtësimeve që janë bërë nga Ministria e Brendshme, mund të riaplikojnë për kartën e identitetit në çdo zyrë aplikimi në territorin e RSH. Ndryshe nga sa më parë ku riaplikimi lejohej vetëm në zyrën e aplikimit përkatëse. Kjo do të thotë që mundësitë për të riaplikuar janë të mëdha. Ndërkohë që investime të rëndësishme janë bërë në drejtim të pajisjes, përmirësimit të kushteve dhe krijimit të mundësive për aplikim në kushte optimale. Ndaj edhe njëherë vlen thirrja që shfrytëzoni të gjitha zyrat e aplikimit në të gjithë vendin, të cilat janë të hapura për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit“, tha Lleshaj./tvklan.al