Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë është mbushur sërish me mijëra qytetarë për të 11-tën natë radhazi, në vazhdën e protestave nën moton “Jo në emrin tim”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Protesta e sontme, e cila nisi në orën 21:00, nisi me grumbullimin masiv të qytetarëve nga i gjithë vendi. Qytetarë të shumtë në sheshin Skënderbeu mbanin në duar flamuj kombëtarë, emblema të UÇK-së dhe pankarta mbështetëse për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në mesin e turmës u lëshuan edhe zërat me fjalët përfundimtare të krerëve të UÇK-së para trupit gjykues në Hagë, “Deklarohem jofajtor”, të cilat u shoqëruan me duartrokitje të gjata e brohoritje nga të pranishmit.

Mes mijëra qytetarëve, vëmendjen e mori një moment tejet emocional, ku një i moshuar me lot në sy përjetonte thellësisht thirrjet dhe atmosferën e tubimit pranë shtatores së Skënderbeut.

Një tjetër çast interesant ishte kur ish-pjesëtari i UÇK-së mori megafonin dhe nisi të recitonte fjalët e betimit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E gjithë masa e tubuar iu bashkua me një zë të fuqishëm, duke kthyer jehonën e betimit të shenjtë në zemër të Prishtinës.

Ndërkohë, mesazhe kuptimplota përcollën edhe gjeneratat e reja.

Një protestuese tërhoqi vëmendjen me pankartën “Unë jam vajza e 17 Shkurtit, lindur në ditën e Pavarësisë, rritur me borxhin e lirisë që ju ma dhuruat — Jo në emrin tim”.

Gjatë fjalës së tij para masës, organizatori i protestës, Çlirim Haziri, theksoi se ky organizim nuk ka asnjë ngjyrim partiak, duke i dërguar një paralajmërim të ashpër institucioneve të vendit.

“Sonte dua ta them shumë qartë: Unë nuk jam Çlirimi i Vetëvendosjes, unë nuk jam Çlirimi i PDK-së, unë nuk jam Çlirimi i LDK-së, unë nuk jam Çlirimi i AAK-së. Unë jam Çlirimi i UÇK-së!”, tha ai, teksa sheshi shpërtheu në thirrjet e njëzëshme: “UÇK! UÇK!”.

Të pranishmëve iu drejtua edhe nipi i heronjve të kombit Fahri dhe Bahri Fazliut, Fahri Fazliu, i cili nënvizoi se ruajtja e vlerave të luftës është obligim i gjeneratave të sotme.

Qytetarët bënë të ditur se tubimet do të vazhdojnë deri në vendosjen e drejtësisë për krerët dhe pjesëtarët e UÇK-së.

/tvklan.al