02 nëntor 2026- Rusia dhe Ukraina raportuan të hënën në orët e para të mëngjesit incidente kibernetike që prekën aplikacionet e tyre për alarmet emergjente në telefona celularë, duke bërë që përdoruesve në të dyja vendet t’u dërgoheshin paralajmërime të rreme.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se aplikacioni Air Alert i vendit ka të ngjarë të jetë objekt i “ndërhyrjes armiqësore”, pasi në të u shfaqën paralajmërime të rreme.

“Nuk ekziston asnjë kërcënim nga rrezatimi”, njoftuan Forcat Ajrore në Telegram, duke u bërë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Më vonë, Qendra e Ukrainës për Komunikime Strategjike fajësoi Rusinë për incidentin, duke thënë se përdoruesit kishin marrë “mesazhe të çuditshme”, përfshirë edhe një mesazh në gjuhën ruse që i referohej raketës Oreshnik.

Disa orë më vonë, Ministria e Situatave Emergjente e Rusisë njoftoi se aplikacioni i saj për telefona celularë ishte goditur nga një “sulm masiv kibernetik”, i cili u kishte mundësuar sulmuesve të dërgonin informacione të rreme për publikun.

Ministria bëri të ditur se sistemi më i gjerë i paralajmërimit publik në Rusi po funksiononte normalisht dhe se nuk ishte prekur nga sulmi.

Sipas saj, qytetarët vazhdonin të merrnin njoftime përmes sirenave dhe altoparlantëve, mesazheve SMS, si dhe transmetimeve televizive dhe radiofonike. Ajo shtoi se aplikacioni për telefona celularë shërbente vetëm si një kanal shtesë informimi.

Ministria njoftoi se specialistët po punonin për rikthimin e funksionimit normal të aplikacionit dhe se situata ishte “nën kontroll”.

Moska nuk bëri të ditur se kush besonte se ishte përgjegjës për sulmin.

Deri më tani nuk është e qartë nëse incidentet që prekën aplikacionet ruse dhe ukrainase kanë lidhje me njëri-tjetrin.

/tvklan.al