Ministri i Drejtësisë Toni Gogu prezantoi sot në 2 qershor rekomandimet para Prokurorit të Përgjithshëm,  drejtuesit të SPAK, si dhe drejtuesve të prokurorive të rretheve. Gogu u shpreh se rekomandimet janë strukturuar në tetë fusha.

“Në këtë vit ne shënojmë një ndryshim cilësor për natyrën e rekomandimeve, pasi rekomandimet janë kthyer në instrument vlerësimi me burime verifikimi dhe afate të qarta. BE na kërkon një menakizëm të qëndrueshëm dhe disiplinor dhe progresi të jetë i verifikueshëm. Rekomandimet janë strukturuar në tetë fusha”, tha Gogu.

Më pas, bëri me dije se ka hapa pozitivë në raport me luftën ndaj kriminalitetit, e sidomos korrupsionit, gjatë 2025. Dha edhe shifra konkrete.

“Gjatë vitit 2025, ka tendenca që meritojnë vëmendje. Nga SPAK, 37 përqind e procedimeve janë regjistruar nga vetë institucioni, ka një rritje prej gati 20 përqind në raport me 2024. Çështjet e mbartura janë reduktuar ndjeshëm dhe para afatit që kishte vendosur SPAK. Vlera e aseteve të sekuestruara arrin në gati 33 milionë euro. Mbi 50 përqind e zyrtarëve të hetuar nga SPAK janë dërguar në gjykatë. 182 procedime korrupsioni janë nga prokuroritë e zakonshme. Prokurorë dhe oficerë kanë ndjekur trajnime për të luftuar korrupsionin. Shërbimi prokurorial ka ecur në shumë tregues. Konfiskimet përfundimtare kanë nevojë për vëmendje të shtuar”, u shpreh Gogu.

Më tej, foli për tre rekomandimet kryesore gjatë 2026.

“Evazioni fiskal duhet të jetë prioritet. Është shtyllë e rendit ekonomik të vendit dhe konkurrencës së ndershme. Rekomandimet e 2026 e trajtojnë evazionin fiskal si një prioritet e ndaj duhet bashkëpunim ndërinstitucional për ta luftuar këtë fenomen. E dyta është krimi kibernetik. Pastrimi i parave bëhet në kriptovaluta, grupet kriminale përdorin mënyra të ndryshme pastrimi parash. Ndaj në rekomandimet e 2026 kërkohen investime teknologjike të vazhdueshme. E treta, kriminaliteti rrugor. Drejtimi pa leje drejtimi, drejtimi në gjendje të dehur janë prioritete, që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Është një fushë, që duhet të kemi fokus. Prioritetet e 2026 të tjera mbeten konstante”, deklaroi ministri.

Në fund, Gogu nënvizoi se standardi europian duhet të ndërtohet përditë me punë dhe jo me fjalë.

Kryeprokurori Çela: Prokuroritë punojnë me 50% të kapaciteteve, rezultatet janë rekord

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, i vlerësoi këto rekomandime.

“Dhënia e rekomandimeve nga ana e Këshillit të Ministrave është vlerësuar me seriozitet maksimal nga sistemi i prokurorisë, pasi në thelb ky përbën një mekanizëm ndërveprimi mes institucioneve në drejtim të angazhimit institucional në luftën ndaj fenomeneve kriminale. Pa këtë mekanizëm do të ishte e pamundur që të kishte një koordinim të mirë të luftës në të gjitha agjencitë ligjzbatuese, të punës së tyre në goditjen e krimit. Ndaj si çdo vit, këto rekomandime i janë përcjellë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ashtu sikurse do të përgatiten edhe planet e veprimit përkatëse”, tha Çela.

Më tej kryeprokurori tha se e vlerëson faktin që rekomandimet e këtij viti janë harmonizuar me nevojat që ka procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Në këtë kuptim kjo do të përbëjë një angazhim më tepër për ne, do të jetë një sfidë edhe më e madhe sepse do të duhet të përshtas planin tonë të veprimit me kërkesat që ka procesi i integrimit, edhe pse deri tani ju siguroj që prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, kanë qenë një kontribuues serioz në të gjitha hapat që lidhen me këtë proces”, shtoi Prokurori i Përgjithshëm.

Ai shtoi se: “Viti 2025 është viti më i mirë që kemi pasur që kur kjo çështje u kthye në prioritet, kështu që mendoj se meriton vlerësim për arritjet nga ana e prokurorëve”.

Po ashtu, sipas kryeprokurorit Çela: “Hetimi financiar dhe goditja e aseteve kriminale, në 2024 u sekuestruan mbi 60 milionë euro dhe në 2025 mbi 40 milionë euro asete. Kjo tregon se, megjithë vështirësitë që këto prokurori kanë, sepse punojnë me 50% të kapaciteteve, e kanë arritur këtë duke iu dhënë prioritet çështjeve më të rëndësishme. Sa i përket krimit kibernetik, mbetet një sfidë plotësimi i strukturave të prokurorive“.

Rekomandimet e qeverisë, Braho: Do jenë prioriteti ynë në hetime

Kreu i SPAK Klodian Braho foli sot në 2 qershor, pas rekomandimeve të qeverisë për vitin 2026, që u prezantuan nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu. Braho bëri me dije fillimisht se sfidat e reja në luftën ndaj krimit kërkojnë teknologji të re dhe buxhet të shtuar.

“Hetimet ndaj grupeve kriminale dhe krimit në tërësi kërkojnë më shumë teknologji. Sfidat e reja duhet që të shoqërohen dhe me mbështetje buxhetore, që të luftohet pastrimi i parave. Analiza e rekomandimeve do të shërbejë se cilat masa mund të merren menjëherë dhe cilat kërkojnë mbështetje financiare. SPAK synon që të jetë institucion i pavarur, i hapur për bashkëpunim, por edhe me integritet në hetimet e tij”, tha Braho.

Shtoi se bashkëpunimi me institucionet shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare është tepër me rëndësi.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm, pasi krimi tashmë ka kalur kufijtë kombëtarë. Tashmë duhet të gjurmojmë krimin, kudo ai vegjiton. Lufta ndaj krimit e korrupsionit nuk mund të bëhet vetëm nga një institucion i vetëm. Duhet një bashkëpunim gjithnjë e më i madh me Policinë e Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera, që të kemi rezultate më të mira”, u shpreh Braho.

Në fund, falënderoi ministrin për paraqitjen e prioriteteve për vitin 2026, duke shtuar se do jenë në fokus nga ana e SPAK.

“Falënderoj ministrin e Drejtësisë për rekomandimet. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit, kërkon bashkëpunim, investim dhe kërkon që shteti të investojë, në ato fusha, që janë prioritet”, përfundoi kreu i SPAK, Klodian Braho.

/tvklan.al