Lufta në Gaza u shpall zyrtarisht e përfunduar në tetor 2025, por urdhrat ushtarakë që lejojnë operacionet me pasoja vdekjeprurëse ndaj civilëve vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Ishte i vogël dhe shumë i dobët. Çfarë faji kishte? Fytyra dhe trupi i tij ishin mbushur me copëza predhash. Çfarë u kishte bërë ai hebrenjve?”, tregoi nëna e një prej fëmijëve të vrarë në Gaza.
Më 22 prill, një dron izraelit goditi me raketë veriun e Rripit të Gazës, duke vrarë tre fëmijë. Ata ishin Abdullah al-Abed, 9 vjeç, vëllai i tij Salah, 12 vjeç, dhe Mohammed Balousha, 14 vjeç. Fëmijët po luanin pranë një xhamie në Beit Lahia. Në sulm humbën jetën edhe dy të rritur.
Ushtria izraelite tha se sulmi kishte për objektiv një person që ishte afruar pranë “Linjës së Verdhë”, zonës ndarëse mes forcave izraelite dhe palestineze në Gaza.
Nëna e fëmijëve tregoi momentet pas bombardimit:
U zgjova nga shpërthimi dhe kërkova fëmijët e mi. Nuk i gjeta. Dola jashtë dhe i pashë të shtrirë në tokë, të vdekur. Abdullahu u zhduk në një sekondë. Çfarë faji kishte? Ishte vetëm një fëmijë i vogël.
Dy ditë më vonë, një tjetër sulm goditi shtëpinë e familjes Karsou në jug të Gazës. Nëna Islam, e cila ishte shtatzënë me binjakë, dhe dy fëmijët e saj, Hamza 13 vjeç dhe Naya 4 vjeç, u vranë.
Më 26 maj, një helikopter izraelit goditi një kamp tendash në zonën Muwasi. Nga sulmi u vra vajza 6-vjeçare Menna Allah Abu Labda. Në një tendë pranë saj ishte foshnja Mohammed al-Khatib me nënën e tij. Nëna u vra, ndërsa foshnja humbi këmbën dhe iu nënshtrua disa ndërhyrjeve mjekësore.
Më 6 qershor, një raketë goditi një zonë në perëndim të qytetit të Gazës, duke vrarë Abdullah Qaddoum dhe vajzën e tij 8-vjeçare Miriam. Vajza tjetër, Malak, vdiq dy ditë më vonë nga plagët.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i armëpushimit kaloi 1 mijë persona, duke arritur në 1003 viktima.
Në të gjitha këto raste, ushtria izraelite ka deklaruar se sulmet kishin objektiva ushtarake ose anëtarë të Hamasit, ose persona që konsideroheshin kërcënim pranë zonave të ndaluara. Megjithatë, ushtria nuk ka dhënë detaje për çdo sulm dhe nuk ka shpjeguar masat e marra për të shmangur viktimat civile.
Sipas raportit, sulme të tilla kanë ndodhur pothuajse çdo ditë edhe pas armëpushimit. Mesatarisht, janë vrarë rreth 4 persona në ditë. Në të njëjtën periudhë, pesë ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza.
Banorët e Gazës thonë se lufta vazhdon pavarësisht armëpushimit.
“Ka viktima çdo ditë. Fëmijët që afrohen te zona kufitare për të mbledhur dru për familjet e tyre shpesh bëhen objektiv. Ne jetojmë me frikë. Jeta jonë është torturë”, tha një banor që jeton në një kamp tendash në Muwasi.
Sipas burimeve ushtarake izraelite, zonat pranë Linjës së Verdhë konsiderohen zona të mbyllura ushtarake dhe ushtarët kanë autorizim të hapin zjarr ndaj personave që hyjnë aty. Por brenda ushtrisë ka pasur kritika, pasi në disa raste civilë palestinezë janë vrarë ndërsa kërkonin ushqime, pajisje ose strehim.
Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se 193 palestinezë janë vrarë pranë Linjës së Verdhë gjatë armëpushimit.
OKB-ja ka verifikuar 621 nga 1000 viktimat e raportuara nga Gaza dhe thotë se nuk ka gjetur ndryshime të mëdha me të dhënat lokale. Sipas raportit të OKB-së, rreth 32% e viktimave të verifikuara ishin fëmijë.
Sipas të dhënave të Gazës: 61% e viktimave janë burra nga 18 deri në 60 vjeç, 11% janë gra të moshës 18-60 vjeç dhe 25% janë fëmijë nën 18 vjeç.
Zona më e prekur pas armëpushimit ka qenë qyteti i Gazës, ku janë regjistruar rreth 353 viktima.
Shumica e viktimave janë vrarë nga sulme me raketa të kontrolluara nga distanca, ndërsa të tjerë nga armë zjarri dhe bombardime.
Mjeku Ahmed al-Farra, drejtues i pediatrisë në spitalin Nasser në jug të Gazës, thotë se për banorët lufta ende nuk ka përfunduar. Ai tregon se spitali përballet me mungesë karburanti dhe pjesësh rezervë, ndërsa gjeneratorët mezi funksionojnë.
“Ka ende fëmijë që plagosen dhe vriten çdo ditë. Ndonjëherë në urgjencë vijnë 10 ose 20 të plagosur menjëherë. Dronët fluturojnë mbi spital dhe dëgjon të shtëna kudo. Lufta vazhdon”, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 
