Mungesa e një perspektive për fundin e konfliktit në Iran po i kthen çmimet e naftës së papërpunuar pranë niveleve rekord.

Në bursën e Londrës, një fuçi nafte arriti vlerën e 117 dollarëve për fuçi, ndërsa në atë të Teksasit çmimi arriti në 107 dollarë, vetëm 5 dollarë larg rekordit të vendosur në fillim të këtij muaji.

Krahas pasigurisë në bursa, kostot e luftës për arkën e shtetit amerikan janë bërë alarmante. Gjatë një dëshmie në Kongres, zyrtarët e Pentagonit konfirmuan se ushtria ka shpenzuar rreth 25 miliardë dollarë për operacionet luftarake që nga fundi i shkurtit.

Mesazhet më të fundit nga palët kanë rritur tensionet në kulm. Përmes medias shtetërore “Press TV”, Teherani kërcënoi me “veprime praktike dhe të paprecedenta” kundër asaj që e quajti pirateri detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Nga ana tjetër, Presidenti Donald Trump mblodhi këtë të mërkurë ekzekutivët e energjisë dhe kabinetin e tij për të shqyrtuar zgjatjen e bllokadës së porteve iraniane edhe për disa muaj të tjerë.

E teksa çmimet e larta po godasin drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve, Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Ëright, dha një shpresë për stabilizim. Gjatë një samiti në Kroaci, ai njoftoi se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara kanë premtuar rritje të prodhimit, sapo të sigurohet lëvizja e lirë e naftës.

Megjithatë, kjo situatë ka goditur rëndë popullaritetin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për Donald Trump ka rënë në nivelin më të ulët të mandatit, ku vetëm 34% e amerikanëve miratojnë performancën e tij, të pakënaqur me koston e lartë të jetesës dhe zgjatjen e konfliktit.

Tv Klan

/tvklan.al