10 shtator 2026– Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump gjithashtu la të hapur mundësinë e zhvillimit të një takimi trepalësh mes tij, Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Duke folur para gazetarëve përpara nisjes me avionin presidencial Air Force One drejt Dallasit, ku mori pjesë në Konventën Kombëtare të Partisë Republikane, Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë të mirë me Putinin dhe se presidenti rus dëshiron një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.

“Patëm një bisedë shumë të mirë. Ai dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe, nëse edhe Zelensky është i gatshëm, kjo do të ishte shumë mirë”, deklaroi Trump.

I pyetur se çfarë po pengon arritjen e një marrëveshjeje paqeje, presidenti amerikan përmendi marrëdhëniet e tensionuara mes liderëve rus dhe ukrainas.

Sipas Trump, pengesa kryesore lidhet me faktin se “dy njerëz e urrejnë njëri-tjetrin”, duke iu referuar Putinit dhe Zelenskyt.

Ndërkohë, kur u pyet nëse do të ndërmerrte hapa për organizimin e një takimi trepalësh, Trump nuk e përjashtoi këtë mundësi.

“Mund të ndodhë. Patëm një bisedë të mirë. Mund të ndodhë”, tha ai, duke theksuar njëkohësisht numrin e lartë të viktimave nga lufta. Trump pretendoi se rreth 25 mijë persona kishin humbur jetën vetëm gjatë muajit të kaluar.

Deklaratat e Trump vijnë pas bisedës telefonike që ai zhvilloi të martën me Vladimir Putinin dhe pas përpjekjeve të fundit diplomatike të administratës amerikane për t’i afruar palët drejt një marrëveshjeje.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, të dërguarit specialë të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, vizituan Moskën dhe Kievin gjatë fundjavës, ku zhvilluan takime dhe bisedime me përfaqësuesit e të dyja vendeve.

/tvklan.al