Në Kiev, lufta nuk ndalet as kur qyteti përpiqet t’i rikthehet normalitetit.
Alarmet ajrore dhe sulmet me dronë kanë sjellë prej pesë ditësh ndërprerje të përsëritura të transportit publik, duke vështirësuar lëvizjen e mijëra banorëve nga njëra anë e lumit Dnipro në tjetrën.
Në stacionet e metrosë, qytetarët presin gjatë për rifillimin e shërbimit, ndërsa çdo sinjal alarmi i detyron të ndryshojnë planet.
“Kam filluar të mendoj se ndoshta duhet të marrim thjesht çantat e gjumit dhe të flemë në metro, në stacionin pranë liceut. Nuk e di. Vitin e kaluar ishte e vështirë në shkollë dhe tani, sinqerisht, nuk di më çfarë të bëj.“
Yulianna Oliynyk është 38 vjeçe, infermiere dhe psikologe. Bashkë me dy djemtë e saj, ajo po përpiqet të arrijë në bregun e djathtë të Kievit, ku fëmijët duhet të përgatiten për nisjen e vitit të ri shkollor, por rruga për të shkuar është kthyer në një sfidë.
“Po presim prej rreth një ore, ndoshta. Edhe dje, për shkak të alarmit ajror, nuk mundëm të shkonim në shtëpi dhe e kaluam natën te gjyshja e tyre.“
Linja e gjelbër e metrosë, një nga arteriet kryesore të transportit të kryeqytetit ukrainas, ndërpret kalimin përtej Dnipros gjatë alarmit. Kjo lë mijëra banorë të bregut të majtë të bllokuar.
“Dje e kaluam gjithë ditën duke u përgatitur për shkollën, për liceun, duke marrë uniformën dhe gjithçka tjetër. Por gjithë ditën nuk mundëm ta merrnim, sepse kishte alarm ajror.“
Në telefonin e saj shfaqet njoftimi se alarmi ajror në Kiev është hequr. Pas orësh pritjeje, udhëtarët nisin të lëvizin me nxitim drejt trenave.
Nisja e vitit shkollor është një sfidë për fëmijët në Kiev, të cilët po përballen me kushte të pazakonta për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse.
Por jo vetëm kryeqyteti ukrainas është nën alarm nga sulmet.
Makina të djegura, rrënojat e ndërtesave të shembura të shpërndara përgjatë rrugëve të shkreta. Zhurma e zjarrit të artilerisë e ndjekur nga ulërima e lartë e një droni sulmi.
Ky është realiteti në qytetin Druzhkivka të Ukrainës lindore, ku ata pak banorë që kanë mbetur i mbajnë shpresat te ushtarët që po luftojnë rusët.
Druzhkivka shtrihet në rrugën që lidh qytete dhe qyteza strategjike të njohura si “brezi i fortesës”, një varg vendbanimesh urbane. Ky mbetet një nga objektivat kryesore të Presidentit rus Vladimir Putin në luftë.
Rusia së fundmi ka shtuar sulmet në rajonet ukrainase, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe shumë të plagosur, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 