Nëse udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, do të shkruante një libër me titullin “Arti i Marrëveshjes me Trump”, ai me gjasë do të përshkruante një strategji që shfrytëzon dobësitë më të mëdha të presidentit amerikan për të ushtruar presion maksimal, ndërsa njëkohësisht fiton kohë për të forcuar pozitat e Kinës.
Kjo duket të jetë qasja që ka ndjekur Pekini që kur presidenti Donald Trump rriti tarifat ndaj mallrave kineze në prill, në përpjekje për të detyruar Kinën të importojë më shumë produkte amerikane dhe të eksportojë më pak të sajat. Në vend që të tërhiqej, Kina ka vënë në lojë një nga mjetet më të forta: kontrollin mbi mineralet kritike, për të cilat SHBA-të kanë varësi të madhe, duke zhvendosur vëmendjen nga rezultatet konkrete drejt negociatave të zgjatura.
Takime si ato që përfunduan së fundmi në Londër, apo ato të muajit të kaluar në Gjenevë, sipas analistëve, e mbajnë Uashingtonin të zënë me bisedime për hapa procedurale të paqarta, si përcaktimi i një “kornize” për bisedime të ardhshme. Kjo i lejon Kinës që të shmangë çështjet më të vështira si akuzat e Washington-it për subvencione shtetërore, shitja e mallrave nën kosto jashtë vendit apo kufizime ndaj kompanive të huaja në tregun kinez.
“Kina ndjehet shumë komode me këtë cikël përplasjesh ekonomike, të ndjekura nga diplomaci që nuk sjell ndryshime reale”, tha Jonathan Czin, studiues në Brookings Institution dhe ish-analist i CIA-s për politikën kineze.
“Kjo lojë ‘macja me miun’ e pengon SHBA-të të përparojnë përballë politikave jo të drejta të tregut të Kinës”, shtoi ai.
Kina ka një histori të gjatë bisedimesh me SHBA-të që nuk prodhojnë rezultate domethënëse, duke fituar kohë për të ndërtuar ekonominë dhe fuqinë e saj prodhuese.
Një shembull i qartë janë mineralet e rralla. Kina dominon tregun global të këtyre materialeve dhe magneteve të prodhuara prej tyre, që përdoren në makina, avionë, robotikë dhe konduktorë gjysmëpërçues. Si hakmarrje për tarifat amerikane, Pekini pezulloi eksportet. Edhe pse të dy vendet nisën negociata për rifillimin e tyre, Kina njëkohësisht shtoi masat kundër kontrabandës së këtyre mineraleve, duke forcuar kontrollin.
“Shohim që Kina po ndërmerr gjithnjë e më shumë masa për të konsoliduar kontrollin qendror mbi eksportet strategjike”, tha Kirsten Asdal, ish-këshilltare e inteligjencës në Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe aktualisht drejtore e një firme konsulence për çështjet kineze.
Sipas saj, kjo u jep autoriteteve kineze mundësinë të shtrëngojnë ose zbusin eksportet në përputhje me situatën politike, si një formë presioni të përsëritur.
Ende nuk është e qartë se çfarë u ra dakord mes dy vendeve pas takimeve të tensionuara në Londër. Presidenti Trump shkroi të mërkurën në rrjetin e tij social, me shkronja të mëdha, se “magnetet dhe mineralet e rralla të nevojshme do të furnizohen, drejtpërdrejt, nga Kina”.
Por Kina nuk ka konfirmuar nëse dërgesat kanë rifilluar si më parë. I pyetur të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë, He Yadong, tha vetëm se Kina kishte “miratuar një numër të caktuar kërkesash të përputhshme” për eksport dhe se do të “forcojë” më tej procesin e miratimeve.
Sipas Wang Yuesheng, drejtor i Institutit për Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, Kina po qëndron e paqartë për të mbajtur kërcënimin si levë presioni.
“Nuk është një hapje e plotë, por as ndalim total si më parë. Kjo gjendje e ndërmjetme i jep Kinës më shumë fleksibilitet për të vepruar nëse SHBA-të rrisin presionin”, tha ai.
Megjithatë, strategjia e Xi Jinping nuk është pa rrezik. Trump, me gjithë paparashikueshmërinë e tij, mund të rikthehet sërish te tarifat ose të vendosë masa të tjera ndëshkuese nëse e sheh që Kina po e vonon qëllimisht eksportin e mineraleve.
Ekonomia kineze nuk është më aq e fortë sa në përplasjen e parë tregtare. Eksportet janë ngadalësuar, tregu i pasurive të paluajtshme po vuan dhe sektori i automjeteve elektrike po përballet me mbiprodhim dhe luftë të ashpër çmimesh.
Në një shenjë të mundshme shqetësimi për ndikimin e krizës ekonomike tek qytetarët, qeveria kineze publikoi së fundmi udhëzime për të adresuar nevojat urgjente të njerëzve në fushat e arsimit, kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe sigurimeve shoqërore, edhe pse pa shumë detaje.
Përkundër kësaj, Xi Jinping llogarit se mund ta përballojë një luftë të zgjatur tregtare më mirë se Trump, i cili, sipas analistëve kinezë, është më i ndjeshëm ndaj pakënaqësive të brendshme.
“Politika e brendshme është ‘pika e dobët’ e Shteteve të Bashkuara”, tha Shen Dingli, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shangai.
/tvklan.al












Botërori 2026 
