Presidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka firmosur urdhrin për të shkarkuar gjeneralin Javier Marcano Tábata, komandantin e Gardës Presidenciale, vetëm disa ditë pasi ish-kreu i shtetit, Nicolas Maduro, u kap nga forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara, në një operacion të zhvilluar në kryeqytetin Karakas dhe u dërgua në New York për t’u përballur me akuza për narko‑terrorizëm në gjykatë.

Garda Presidenciale është forca ushtarake e ngarkuar me sigurinë dhe mbrojtjen e presidentit dhe anëtarëve të tjerë të shtetit. Ndërkohë, qeveria e Venezuelës ende nuk ka dhënë një numër të detajuar të viktimave, por mendohet se anëtarë të Gardës ishin ndër dhjetëra të vrarët, gjatë operacionit amerikan për kapjen e Maduron.

Shkarkimi i gjeneralit Marcano Tabata u njoftua nga Delcy Rodriguez, e cila u betua si presidente e përkohshme nga Asambleja Kombëtare, e dominuar nga përkrahësit e qeverisë, pas kapjes së Maduros. Rodríguez ka shërbyer më parë si zëvendëspresidente dhe njihet si aleate e ngushtë e ish‑liderit të burgosur.

Në një konferencë pas kapjes së Maduros, Presidenti i SHBA‑ve Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë Venezuelën dhe se Uashingtoni është në bisedime me Rodríguez. Gjithashtu, Trump kërcënoi se Rodríguez mund të përballet me një fat edhe më të keq se i Maduros, nëse nuk plotëson kërkesat e SHBA‑ve, përfshirë ato lidhur me kontrollin e naftës, ndërkohë që Venezuela zotëron rezervat e naftës më të mëdha në botë.

Rodríguez ka dënuar veprimet e Maduros, si një rrëmbim të paligjshëm, por edhe duke sugjeruar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Veprimet e saj po ndiqen me vëmendje në Venezuelë dhe jashtë saj, për të vlerësuar drejtimin politik që mund të marrë vendi dhe për të zbuluar shenja të ndonjë krisjeje brenda qeverisë së re.

/tvklan.al