Dëgjohej një heshtje e pazakontë në Moskë, pasi kancelari gjerman Friedrich Merz, për herë të parë, nënshkroi një vendim që po merr formë: përdorimi i rezervave të ngrira të Rusisë për të financuar Ukrainën, duke mobilizuar fillimisht 170 miliardë euro dhe më vonë edhe më shumë se dyqind miliardë.
Historia e fondeve të Moskës daton që nga ditët e para të luftës totale në Ukrainë, kur udhëheqësit e G7 bllokuan ato llogari në dollarë, euro, paund dhe jen dhe i hoqën ato nga “duart” e Vladimir Putinit. U shkrua në “Corriere” për mënyrat se si kjo mund të ndodhë, duke nisur nga takimi i ministrave të Financave të G7, që pritet të mbahet të mërkurën. Mund të supozohet se vendimi do të bëhet ekzekutiv, midis marsit dhe prillit të ardhshëm.
Përgjigjja e Kremlinit
Por tani të shohim aspekte të tjera, sepse ajo heshtje në Moskë është mashtruese. Kremlini do të përgjigjet. Ai do të synojë dhe do të konfiskojë llogaritë dhe ndoshta edhe pronat fizike të kompanive nga vendet, që do të marrin pjesë në ndërhyrjen mbi rezervat – përfshirë disa kompani italiane – nëse ky vendim konfirmohet. Tensioni midis Moskës dhe qeverive evropiane, që tashmë është shumë i lartë, do të rritet më tej.
Pse asetet ruse mund të jenë të padobishme?
Ka arsye pse ekziston ‘frika’ se kjo është e pashmangshme dhe pse asetet e kompanive evropiane në Rusi janë tashmë të padobishme. Kuptimi i asaj që po ndodh bëhet gjithnjë e më i qartë. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga konflikti, për zgjedhjen e Donald Trump, si dhe vendosmëria e Putinit (i mbështetur nga Kina) për të ndjekur objektivat e tij maksimalë të luftës, po shtyjnë një pjesë të Evropës, drejt asaj që për tetëdhjetë vjet nuk kishte e kishte bërë kurrë: të përfshihet më shumë – me para, armë, industri dhe teknologji – që Ukraina të mos dorëzohet; që Putini të mos bëhet një kërcënim gjithnjë më i madh.
Rezervat ruse
Përdorimi i rezervave ruse është një mënyrë për të vazhduar këtë përpjekje, duke u munduar në parandalimin e një kryengritje të kontribuuesve evropianë, që shumë shpejt do të shfrytëzohej nga populistët e çdo lloji. Por në fakt, zhdukja e Amerikës nga ky skenar, përshpejton një përkeqësim më të thellë të marrëdhënieve midis Evropës dhe Rusisë, me pasoja financiare dhe industriale, deri tani pak të kuptuara. Le të shpjegojmë këtë.
Dekreti presidencial
Në Moskë ekziston, të paktën që nga fillimi i vitit, një projekt-dekret presidencial, që parashikon nacionalizimin e aktiviteteve të kompanive nga vendet e konsideruara «jo miqësore».
Risi do të ishte vetëm shkalla – jashtëzakonisht e madhe, makroekonomike – në të cilën mund të ndodhë kjo. Sepse pjesa tjetër është parë tashmë. Në këto tre vite e gjysmë, Putini, qeveria e tij ose gjykatësit e kontrolluar prej tij kanë sekuestruar për arsye politike, kanë vendosur nën kontroll shtetëror ose kanë transferuar te oligarkë të afërt 103 kompani ose prona; përfshirë këtu aktivitetet ruse të kompanive franceze Danone (transferuar te lideri çek Kadyrov), daneze Carlsberg, belgje InBev, gjermane Bosch, amerikane Exxon Mobil dhe italiane, Ariston.
Këto të fundit i ishin dorëzuar Gazprom, i cili i rikthye Ariston pas vetëm shtatë muajsh (kjo ndodhi në mars të vitit të kaluar).
Vlera e pronave fizike
Ky është ndoshta vetëm prologu, i asaj që do të ndodhë tani, nëse dhe kur përdorimi i rezervave të ngrira ruse për Ukrainën, do të bëhet operativ në pranverë. Një vlerësim i përafërt që qarkullon në ambientet e biznesit të lidhura me Moskën tregon se vlera e pronave fizike investuese të kompanive perëndimore në Rusi është sot rreth 150 miliardë dollarë; kësaj i shtohen llogaritë bankare të kompanive të vendeve “jo miqësore” për rreth 150 miliardë dollarë të tjera.
Sa i përket kompanive italiane, llogaritë bankare të ekspozuara ndaj sekuestrimit në Rusi ruajnë me shumë gjasa të paktën ekuivalentin në rubla të së paku një gjysmë miliardi euro; por ky është me shumë mundësi, një vlerësim konservator.
Nxitja nga inflacioni
Do shpjegohet më mirë më vonë, por së pari duhet të sqarohet pse vlera totale e llogarive dhe aseteve të kompanive të vendeve perëndimore në Rusi (përfshirë politikisht Japoninë) është kaq e lartë. Vetëm tetë grupet e para të vendeve “jo miqësore” kanë në Rusi ekuivalentin e rreth njëzet miliardë euro në vitin e fundit të deklaruar, shpesh 2023 ose 2024. Gjiganti japonez i duhanit JTI që nga 2023 është në krye me shitje prej 4.9 miliardë eurosh në 2023, falë një rritjeje nominale të të ardhurave prej 40%, që është regjistruar vetëm që nga fillimi i luftës.
Të dhënat
Të dhënat vijnë nga deklaratat fiskale të vetë kompanive në agjencinë tatimore dhe agjencinë statistikore ruse, të mbledhura dhe të disponueshme nga baza e të dhënave Interfax Spark. Në këtë aspekt, paradoksalisht, qeveria e Moskës është më transparente se ato evropiane, sepse publikon të dhënat e kompanive individuale (me përjashtime dhe përjashtime, me natyrë shumë politike).
Kompanitë që kanë lënë Rusinë
Natyrisht, rreth 17 mijë kompani nga Evropa, SHBA-të, Japonia, Australia kanë lënë Rusinë. Edhe në kushtet e kostos të detyrimit për t’i shitur te oligarkë të vjetër dhe të rinj lokalë. E ka bërë këtë, për shembull, kompania amerikane McDonald, gjermanët e Volkswagen, Mercedes-Benz dhe Henkel, ose italianet Eni dhe Enel. Nga grupet globale të mëdha dallohen veçanërisht dy trajektore.
Rasti Pepsi
Kompania amerikane Pepsi ka parë rritjen e të ardhurave të saj ruse me 58% në tre vitet e para të luftës, deri në ekuivalentin e 2.5 miliardë eurove, pikërisht ndërsa nga Uashingtoni vinin paketa pas paketash sanksionet (por jo në mallrat e konsumit, si ushqimet dhe pijet).
Dhe gjiganti farmaceutik anglo-suedez Astra-Zeneca, përkundër marrëdhënieve të këqija midis kryeqyteteve, që nga fillimi i konfliktit deri në 2024 ka trefishuar të ardhurat deri në një miliard euro. Nuk është e qartë nëse ka marrë kontrata nga qeveria e Moskës në sektorin e saj, dhe gjithashtu është plotësisht i përjashtuar nga sanksionet.
Kurba e të ardhurave
Në krahasim, kompanitë italiane tregojnë tendenca të ngjashme, por në një shkallë shumë më modeste. Rreth 70% e atyre që ishin të pranishme para vitit 2022, nuk kanë ikur kurrë nga Rusia edhe pas sanksioneve; dhe nga 61 kompanitë për të cilat ishte e mundur të gjendeshin deklaratat financiare në Interfax Spark, 37 kishin të ardhura nominale në Rusi më të larta në 2024, sesa para fillimit të luftës.
Për rreth pesëdhjetë kompani italiane ishte e mundur të rindërtohej zhvillimi në vendin e Vladimir Putinit nga para shpërthimit të konfliktit të plotë në Ukrainë deri në vitin e kaluar: të ardhurat e tyre totale në vitet e luftës u rritën me 37%, rreth dhjetë pikë më shumë se inflacioni lokal, deri në ekuivalentin e 1.7 miliardë eurove në 2024.
Fitimi neto i agreguar gjatë viteve të luftës është rreth gjysmë miliardë euro, me mbi njëqind milionë taksa të paguara në të njëjtën periudhë ndaj qeverisë së Moskës.
Kompania Spritz
Cilat janë këto kompani? Campari ka një filial importimi – jo prodhimi – që nuk investon, as nuk bën promovim për të rritur biznesin, dhe megjithatë ka vërejtur të ardhurat të dyfishohen në rreth 120 milionë euro gjatë viteve të luftës, për një arsye që lidhet me paradokset e shoqërisë ruse: ndërsa të varfrit vdesin në Donbas, në elitën e Moskës, është përhapur moda e Aperol Spritz «në stil italian».
Italianët, nga Chiesi te Barilla dhe Ferrero
Rriten shumë farmaceutiket Chiesi dhe sidomos Angelini (por më pak se AstraZeneca); zvogëlohet në Rusi impianti i Marcegaglia për çelik për përdorim civil (700 mijë euro fitim në Rusi, nga një total prej gati dyqind milionë në 2023). Pirelli faturon mbi treqind milionë euro, një rezultat që pas heqjes së inflacionit, duket se po ngadalësohet që nga fillimi i luftës. Këtyre iu shtohen Cremonini (që furnizon zinxhirin e ish-McDonald’s), Barilla dhe Ferrero, kjo e fundit me një xhiro në Rusi që megjithatë mbetet një pjesë e vogël, krahasuar me gati dy miliardë eurot e konkurrentit amerikan Mars.
“Pengmarrja“
Asnjë nga kompanitë që përmenda nuk shkel sanksionet, por të gjitha tani rrezikojnë shumë.
Kështu shpjegon The Bell, një gazetë online shumë e informuar mbi ekonominë ruse dhe dinamikat e pushtetit në Moskë, që qeveria e ka quajtur “agjent i huaj”. «Fitimet e realizuara nga filialet ruse të kompanive (perëndimore) nuk mund të rikthehen në atdhe». Që nga 2022, ato duhet të përfundojnë të gjitha në të ashtuquajturat “llogaritë S” të krijuara nga Kremlini: në thelb depozita të ngrira, ashtu si rezervat ruse në Europë.
Kapitali i kompanive
Qindra kompani perëndimore nuk mund të disponojnë paratë e tyre, ndërsa fitimet dhe pjesëmarrjet janë akumuluar tashmë për gati katër vjet. Në fakt, ato janë marrë peng financiarisht nga Putini.
Nëse i shtojmë në llogari rreth dhjetë miliardë dollarët e britanikes BP në Rosneft, rreth tetë miliardë të francezëve të TotalEnergies në Novatek plus të tjera të ndryshme dhe dividendët përkatës, vlerësimi i llogarive të ngrira të perëndimorëve në Rusi prej rreth 150 miliardë dollarësh, nuk duket i pabazë.
Arratisja “e pakryer” nga Rusia
Pse këto kompani nga kaq vende të ndryshme nuk dolën nga Rusia më parë? Raste të lakmisë apo oportunizmit do të ketë, por ndoshta nuk janë shumë. Disa kompani kanë qëndruar, sepse konkurrentët e tyre e bënin (Philip Morris kundër JTI). Disa në 2022 shtynë largimin, sepse qeveria e Moskës impononte shitje me 50%, për të zbuluar më pas se zbritja e detyrueshme është rritur në 80% ose 90%. Të tjera mendonin se rikthimi i Trump do të sillte paqe dhe heqjen e sanksioneve. Të gjitha janë mbetje të një epoke të kaluar, asaj të globalizimit dhe “botës së sheshtë”, të mbetura të ngujuara në këtë kohë lufte dhe sanksionesh.
Cikli i hakmarrjeve
Putini në 2022 detyroi europianët – që hezitonin – të ndalojnë blerjen e gazit rus. Sot ai është plotësisht i aftë dhe i vendosur të konfiskojë pasuritë financiare dhe materiale të kompanive perëndimore, kur Europa do të përdorë rezervat e Moskës.
Për të gjitha këto kompani nuk ka më kohë, për të tentuar të dalin nga tregu rus. Për Kremlinin – shpjegon The Bell – konfiskimi i kompanive nga Perëndimi do të jetë një rrugë e shkurtër për të mbuluar deficitin në rritje të buxhetit në 2026, por me një çmim astronomik: me këto shpronësime Rusia do të përjashtohet nga tregjet financiare ndërkombëtare për një brez të tërë, duke rënë gjithnjë e më shumë në duart dhe në mëshirë të Kinës.
Llogaritë S
Për më tepër, nuk do të mund të nxjerrë shumë para nga “llogaritë S”, sepse pjesa likuide është e kufizuar, ndërsa shitja e pjesëve në aksione ose obligacione mund të rrëzojë tregun e Moskës.
Por, Putini do ta pranojë edhe këtë, vetëm për t’i shërbyer obsesionit të tij për luftë. Për Europën, dorëzimi ndaj shantazhit për të shpëtuar llogaritë ruse të kompanive të saj, do të ishte gjithsesi një gabim.
Kontot bankare do të mbeteshin gjithmonë të ngrira, ose të paktën deri në nënshtrimin e qeverive europiane ndaj qëllimeve të restaurimit imperial të Kremlinit. Kostoja do të ishte shumë më e lartë se çdo fitim i grumbulluar. /Corriere Della Sera/
/tvklan.al












Botërori 2026 
