“Kryeministri është kthyer në satelit të fushatës time, më monitoron dhe orarin e gjumit”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është i gatshëm që të përballet në një debat televiziv me Kryeministrin Edi Rama. Nga studio e emisionit Opinion në Tv Klan, Basha tha se është Kryeministri Rama ai që duhet të japë llogari përpara shqiptarëve për 8 vite të qeverisjes së tij dhe debati televiziv është detyrim i tij.

“Ka të paktën që në vitin 2006 që e ftoj në një debat publik. Kjo nuk është çështje midis meje dhe tij. Është detyrim ndaj qytetarëve të vendit në veçanti para zgjedhjeve që ata që kanë përgjegjësinë qeverisëse të debatojnë dhe të japin llogari. Ai e ka për detyrë t’u thotë njerëzve çfarë ka bërë këto 8 vite. Jo vetëm që jam i gatshëm por është detyrimi i tij karshi shqiptarëve pas 8 vjet qeverisje të vijë në debat dhe të thotë çfarë ka bërë këto 8 vite. Është detyrimi im para shqiptarëve t’u them çfarë kërkoj për mandatin”.

Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Rama se është kthyer në satelit të fushatës së tij elektorale duke komentuar çdo gjë rreth Partisë Demokratike.

“Ne nuk jemi në këtë terren. Ne nuk mund të pretendojmë se jemi në një realitet normal. Nga njëra anë ka një fushatë timen, të PD, e cila është shtrirë kudo dhe merret me çështje konkrete. Nga ana tjetër po ndodh diçka që nuk është se s’më jep një farë kënaqësie. Kemi një Kryeministër që është kthyer në një satelit të kandidatit për Kryeministër, merret me fushatën time, me programin, me veshjen time, me flokët, madje më monitoron dhe orarin e gjumit. Kryeministri është katrandisur në satelit të fushatës time, ai nuk ka asgjë për të treguar”, deklaroi Lulzim Basha. /tvklan.al