Emmanuel Macron ka kritikuar ashpër deklaratat jokonsistente dhe kontradiktore të Donald Trump mbi luftën me Iranin dhe NATO-n, duke thënë se, nëse do të jesh serioz, është më mirë të mos dalësh me diçka të ndryshme çdo ditë.

“Ka shumë fjalë dhe janë kudo. Duhet të jesh serioz. Kur dëshiron të jesh serioz, nuk duhet të thuash çdo ditë të kundërtën e asaj që the një ditë më parë. Dhe ndoshta nuk duhet të flasësh çdo ditë. Ky nuk është show. Po flasim për luftë, për jetët e burrave dhe grave dhe për ekonomitë e vendeve tona”, tha Macron.

Komentet, presidenti francez i bëri gjatë turit në Azi, ku diskutoi sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit dhe bashkëpunimin më të ngushtë me Korenë e Jugut dhe Japoninë, të dy vende të prekura nga lufta.

Macron gjithashtu mbrojti NATO-n, duke akuzuar Trump për minimin e aleancës përmes vërejtjeve të përsëritura që vinin në pikëpyetje angazhimin e Shteteve të Bashkuara.

“Unë besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë, te besimi që i mbështet ato. Nëse hedh dyshime mbi angazhimin çdo ditë, ia zbeh thelbin”.

Deklaratat vijnë pas mesazheve të presidentit amerikan dhe të tjerëve në Uashington mbi progresin e luftës, kritikat ndaj udhëheqësve evropianë për refuzimin e mbështetjes dhe sugjerimeve se SHBA-të mund të largohen nga NATO.

Tv Klan

/tvklan.al