Pasi ktheu në vëmendje mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake tokësore të aleatëve në Ukrainë presidenti Emmanuel Macron ka një tjetër thirrje për Perëndimin.

Ai thotë se vendet perëndimore duhet të lejojnë Ukrainën të godasë bazat ushtarake brenda Rusisë me armët e sofistikuara me rreze të gjatë që po i ofrojnë Kievit. Qëndrimin e tij e bëri të ditur gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Emmanuel Macron, Presidenti i Francës: Ne u themi atyre “po ju furnizojmë me armë, por ju nuk mund të mbroni veten”. Mendojmë se duhet t’i lejojmë ata të neutralizojnë lokacionet ushtarake nga të cilat lëshohen raketat dhe kryesisht vendet ushtarake nga të cilat sulmohet Ukraina.

Macron nënvizoi se vetëm bazat ruse të përdorura për lëshimin e raketave kundër Ukrainës duhet të konsiderohen si objektiva legjitime jo bazat e tjera ruse apo infrastruktura civile.

Udhëheqësit perëndimorë kanë hezituar të marrin një vendim të tillë sepse kjo rrezikon të provokojë presidentin rus Vladimir Putin. Një përfshirje e drejtpërdrejtë e Perëndimit në luftën në Ukrainë për Rusinë është një vijë e kuqe, që nëse kapërcehet do të bëjë të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore. Por lufta  deri më tani ka qenë në favor të Kremlinit pasi forcat e Putin kanë shfrytëzuar mungesën e municioneve të ushtrisë ukrainase.

Deklaratat e Macron vijnë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u kërkoi vendeve anëtare të aleancës që të heqin disa nga kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina.

Klan News