Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëron për një fundjavë të vështirë në Francë, në prag të protestave të reja të paralajmëruara për 31 tetor. Gjatë një vizite në Marsejë, kreu i Elizesë pranoi se autoritetet u kapën në befasi, ku në disa qytete protestat përshkallëzuan në përplasje, dhunë dhe grabitje.

“Është anormale që, gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, vendi ynë të ndodhet në këtë gjendje trazirash. Ajo që pamë më 17 tetor, në shumë qytete të Francës, nuk duhet të përsëritet kurrë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur. Nëse e bëjmë punën tonë mirë, së bashku, kjo lëvizje do të qetësohet, sepse do të përmbushim pritshmëritë legjitime të qytetarëve dhe do të garantojmë ruajtjen e rendit. E dimë se e shtuna e ardhshme do të jetë sërish një ditë me rrezik. Për këtë arsye, duhet të jemi të përgatitur dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme. Autoritetet duhet të tregojnë se janë në gjendje të ruajnë sigurinë, por edhe të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve”, tha Macron.

Protestat, të cilat fillimisht u nxitën nga pakënaqësitë e studentëve për financimin e arsimit dhe pabarazitë në sistemin e pranimit në universitete, janë zgjeruar, duke përfshirë sindikata dhe aktivistë të lëvizjes së Jelekëve të Verdhë.

Në qendër të revoltës janë edhe rritja e kostos së jetesës, pagat dhe përkeqësimi i shërbimeve publike. ërballë rrezikut të përshkallëzimit të situatës, autoritetet franceze kanë shtuar masat e sigurisë. Gjatë demonstratave të 17 tetorit, në të gjithë vendin u angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie, ndërsa Ministria e Brendshme raportoi 1 mijë e 435 arrestime.

Ministria e Brendshme paralajmëroi për mundësinë e incidenteve të reja gjatë protestave të ardhshme. Ndërkohë, qeveria po zhvillon konsultime me përfaqësues të studentëve dhe sindikatave, në përpjekje për të ulur tensionet.

Klan News

/tvklan.al