Atmosfera magjike e Krishtlindjes ka mbërritur në Kopenhagë.
Parku Tivoli Gardens, ka ndezur dritat festive, duke u shndërruar në një peizazh përrallor, me mijëra ndriçues dhe pemë të dekoruara.
Vizitorë të shumtë u mblodhën për ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës tradicionale të Krishtlindjes.
Për vizitorët, bukuria e dekorimeve ishte mbresëlënëse që në hyrje.
“Që në momentin e parë kur hymë, ishim shumë të emocionuar. Mund të shihje të gjitha dekorimet, gjithçka ishte realizuar kaq bukur. Po e shijojmë çdo minutë. Kemi ardhur pikërisht në momentin e hapjes”, tha Shameela Lyons.
Për turistët, parku në periudhën e festave është një traditë që nuk duhet humbur.
“Ne e duam periudhën Krishtlindjen. Kjo është një nga atraksionet në Kopenhagë që duhet ta vizitosh çdo vit. Edhe Halloween-i është fantastic”, tha Jette Graversen.
Ndërkohë, për dy vizitore nga Suedia, rikthimi në Kopenhagë është edhe një udhëtim në fëmijëri.
“Për mua është gjithçka kaq e bukur. Më sjell menjëherë atmosferën e Krishtlindjes dhe shumë kujtime nga fëmijëria, kur vija këtu. Një natë më parë nuk mund të flija nga emocionet, sepse mezi prisja të vija. Është sikur të rikthehesh në atë kohë”, tha Nadia Jonning.
Ndërsa dritat ndriçojnë çdo cep të parkut, nga pemët festive deri te dekorimet spektakolare, Tivoli Gardens rikthen edhe këtë vit magjinë e festave, duke bashkuar turistë nga vende të ndrysh,e në një atmosferë nostalgjie, gëzimi dhe emocionesh.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
