Në Kupën e Botës nuk luhet vetëm me 11 lojtarë në fushë. Sipas disa historive që kanë bërë xhiron e botës, ndonjëherë në lojë hyn edhe një “lojtar” tjetër, forca e padukshme.
Në qendër të vëmendjes është Stephen Osei Mensa, i njohur si Nana Kuaku Bonsam, shamani ganez i famshëm, të cilin mediat e kanë pagëzuar si “Djalli i së Mërkurës”. Emri i tij është lidhur prej vitesh me histori ku futbolli përzihet me besime, folklor dhe… pak mister.
Rasti më i famshëm lidhet me sulmuesin anglez Harry Kane. Para përballjes mes Anglisë dhe Ganës, Bonsam deklaroi se kishte vendosur një “bllokim shpirtëror” ndaj kapitenit anglez. Qëllimi, sipas tij, nuk ishte dëmtimi i Kane-s, por që ai të mos ishte në formën e tij më të mirë.
Dhe ajo që ndodhi në fushë u bë menjëherë temë debati. Ndeshja përfundoi 0-0, ndërsa Kane nuk arriti të ndikonte si zakonisht në lojë dhe humbi një rast të artë në fund. Pas ndeshjes, shamani deklaroi se e kishte hequr “mallkimin” dhe se Kane tashmë ishte i lirë të shënonte.
Pak ditë më pas, konkretisht ndaj Panamasë, sulmuesi anglez u rikthye te goli, duke i dhënë më shumë jetë kësaj historie të çuditshme. Por Bonsam nuk u ndal aty. Profecia e tij e radhës shkaktoi edhe më shumë reagime.
Ai pretendon se Kepi i Gjelbër do të eliminojë Argjentinën, duke tronditur tifozët e “Albiceleste”-s dhe duke krijuar një valë në rrjetet sociale.
Ky nuk është rasti i parë ku emri i tij lidhet me futbollin. Në vitin 2014, gjatë Kupës së Botës në Brazil, Bonsam pretendoi se kishte ndikuar në dëmtimin e Cristiano Ronaldos para ndeshjes Portugali-Ganë. Por ylli portugez luajti, shënoi dhe Portugalia fitoi.
Pra, ndërsa trajnerët analizojnë skemat, mbrojtjet dhe statistikat, Nana Kuaku Bonsam kujton se Kupa e Botës mund të ketë edhe një dimension tjetër, atë ku taktikat përballen me legjendat, besimet dhe pak magji. Në fund, topi mbetet në fushë… por historitë më të çuditshme shpesh vijnë jashtë saj.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
