E diela në tregun e gjësë së gjallë në Fushë-Milot u përgjak nga një aksident i pazakontë. Ky automjet që drejtohej nga një paraplegjik hyri me shpejtësi mes turmës, duke lënë dy te vdekur dhe mbi 5 të plagosur.

Viktimat janë Llesh Marku 70 vjeç, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme dhe 57-vjecarja Dila Marku, e cila ndërroi jetë gjatë transportimit për në spitalin e Traumës në kryeqytet.

3 të plagosur u transportuan në spitalin e Lezhës, ndërsa 2 të lënduar dhe ata që morën plagë të lehta u trajtuan në spitalin e Laçit.

Automjeti tip Benz drejtohej nga Pashk Vokrri 58 – vjec, banues në Pllanë të Lezhës. Tregëtarët thonë se makina e tij u fut me shpejtësi të madhe mes turmës dhe ndaloi më pas në këtë dyqan mishi.

Policia verifikoi se 58 – vjeçari kishte humbur kontrollin dhe se qarkullonte me automjet pa patur leje drejtimi. Ai dyshohet të ketë ngatërruar pedalen e frenave me atë të gazit, duke bërë që mjeti të marrë superxhiro dhe të hyjë me shpejtësi mes turmës së njerëzve.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije gjithashtu se automjeti i Vokrrit ishte i përshtatur për përdorim nga persona me aftësi të kufizuar dhe i modifikuar në mënyrë artizanale.

Ky mjet, sipas policisë, nuk e kishte kaluar testin e kontrollit teknik dhe teknikisht, nuk duhej të ishte në qarkullim.

Tv Klan