Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi një automjet doli nga rruga dhe përplasi këmbësorët në qytetin e Melbourne, Australi.
Sipas policisë së shtetit Victoria, ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, pak para orës 17:00, në rrugën Langs, në zonën Ascot Vale. Një automjet tip Toyota, me ngjyrë gri, goditi dy këmbësorë pasi hipi mbi trotuar.
BBC shkruan se si pasojë e përplasjes, një nga këmbësorët ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa personi i dytë u transportua në spital në gjendje kritike për jetën.
Autoritetet kanë arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili pritet të merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e incidentit. Policia bëri të ditur se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe nuk është e qartë nëse ngjarja ka qenë e qëllimshme. Po shqyrtohen të gjitha pistat, përfshirë mundësinë e përdorimit të alkoolit apo substancave narkotike.
Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi pranë hapësirës “Melbourne Showgrounds”, ku po zhvillohej eventi i njohur “Supanova Comic Con & Gaming”, i cili pritet të tërheqë mijëra vizitorë.
Dëshmitarët okularë raportuan se dëgjuan një frenim të fortë përpara se automjeti të dilte nga rruga dhe të përplaste këmbësorët. Një prej tyre tha se makina bëri më pas një kthesë të fortë dhe u ndal, ndërsa disa persona në vendngjarje ndërhynë për të penguar shoferin të largohej.
/tvklan.al












Botërori 2026 
