Kishte dalë për shëtitje, por humbi jetën tragjikisht. Viktima është një shqiptar në Emilia të Italisë, i quajtur Halim Sulejmani 63 vjeç.

Sipas mediave italiane, shqiptari kishte dalë për shëtitje mbrëmjen e së mërkurës, kur u përplas për vdekje nga një makinë. Hetuesit, të cilët rindërtuan dinamikën e aksidentit, thonë se shoferi i makinës Benz nuk e vuri re 63-vjeçarin që po ecte në anë të rrugës dhe e goditi.

Përplasja ishte aq e fortë, saqë shqiptari ndërroi jetë menjëherë. Shoferi kuptoi se çfarë kishte ndodhur vetëm kur dëgjoi zhurmën. Sipas deklaratës së tij, fillimisht mendoi se kishte përplasur ndonjë kafshë, por më vonë pa se kishte aksidentuar 63-vjeçarin.

Menjëherë më pas lajmëroi policinë. Ekipet e emergjencës që shkuan në vendngjarje, u përpoqën për të mbajtur në jetë Halim Sulejmani, por fatkeqësisht përpjekjet nuk dhanë rezultat.

Ndërsa drejtuesi i makinës që përplasi shqiptarin, përsëriste vazhdimisht: “Nuk e kam parë, nuk e kam parë”. Sipas kodit italian, ai po hetohet për vrasje në rrugë. /tvklan.al